Përjashtimet, Alibeaj kritikohet edhe nga deputetët e grupit të tij
Kreu i grupit parlamentar i PD-së, Enkelejd Alibeaj të martën përjashtoi nga grupi edhe katër deputetë që janë pro Berishës. Ky i fundit thotë se Alibeaj zbatoi si mjeran një urdhër të Edi Ramës. Pas Flutura Açkës, edhe Ferdinand Xhaferraj e cilësoi si një akt individual të tij që dëmton vetë Partinë Demokratike.
“Katër deputetët janë deputet të respektuar që u rri mirë kostumi i deputetit opozitar. Së dyti jam informuar në media që tregon për maskaradën e dimensionit demokratik që ka kjo vendimmarrje”, tha Xhaferraj.
Enkelejd Alibeaj e firmosi aktin në një kohë kur Ervin Salianji po mblidhte firmat në të dyja grupimet për ta zëvendësuar si kryetar i grupit parlamentar.
“Pa diskutim që ai akt lidhet me firmat që ka mbledhur shumica e deputetëve për të shkarkuar Enkelejd Alibeajn. Bëhet fjalë për grupin që drejtonte Enkelejd Alibeaj. Ky akt, është mëse i turpshëm”, tha Edi Paloka.
“Kjo gjë i ka krijuar problem të mëdha regjimit i cili nëpërmjet mashës së tij Alibeaj, kërkon të krijojë pështjellim brenda grupit të PD”, tha Tritan Shehu.
“Gjykoj që është një vendim në kufijtë e absurdit logjik, në kufijtë e një hakmarrjeje primitive që mua nuk më intimidon dhe nuk më ndikon fare”, u shpreh Belind Këlliçi.