Përkujtohet Masakra e Borovës. Mesazhi i veçantë i zëvendësambasadorit gjerman
Ambasada Gjermane në Tiranë ka marrë pjesë në ceremoninë e përkujtimit të Masakrës së Borovës. Në Borovë të Korçës, në 6 korrik të vitit 1943, forcat gjermane të Vehrmaht-it vranë 107 banorë të këtij fshati.
Për të nderuar viktimat e kësaj masakre, të shtunën e shkuar në ceremoninë përkujtimore në Borovë, mori pjesë dhe Zëvendësambasadori i Ambasadës Gjermane, Dr. Johannes Dietrich. Të pranishëm në këtë ceremoni të përvitshme ishin dhe përfaqësues të bashkive Borovë dhe Ersekë, të afërm të viktimave, banore dhe banorë të fshatit.
Diplomati gjerman në fjalën e tij deklaroi se: “76 vite janë një kohë e gjatë, por ne nuk duhet ta harrojmë atë që ndodhi. Viktimat kanë të drejtë të përkujtohen për padrejtësitë barbare që u janë bërë, kanë të drejtë që emrat e tyre të ruhen në kujtesë […] Fakti që ne në Evropë u bëmë miq dhe partnerë përtej varreve që na ndanin, është një moment historik fatlum, për të cilin janë dashur shumë hapa të guximshëm. Pajtimi evropian vazhdon edhe sot të jetë një arritje madhështore dhe një sinjal shprese, veçanërisht në Ballkan ku lufta, dhuna dhe urrejtja janë pjesë e një të kaluare jo të largët”.
KOHA JONË SONDAZH

