Përleshje në Kosovë, protestuesit djegin disa makina pranë qeverisë (FOTO-VIDEO)

 

Pas vendimit për 30 ditë paraburgim për deputetin Donika Kadaj Bujupin situata në Prishtinë është përshkallëzuar, ku protestues të shumtë kanë djegur disa makina përpara ambienteve të qeverisë dhe në rrugët e Prishtinës. Makina janë me targa 3Z, që nënkuton se janë makina të institucioneve. Ndërsa forcat e shumta të policisë dhe zjarrfikëset po përpiqen të fikin zjarret dhe të vendosin kontroll mbi situatën.

Ora 18:10 përfundom takimi i liderve të opozitës

Takimi mes liderve të opozitës ka përfunduar dhe ata janë nisur në drejtim të qeverisë.

Ora 18:00 Protestuesit rikthehen në shesh kërkojnë lirimin e Donika Kada Bujupin

Policia e Kosovës është  në shesh dhe ka filluar të hedhin gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve. Protestuesit janë kthyer në shesh për të protestuar në drejtim të Qeverisë me një kërkesë për të liruar Donika Kada Bujupin. Në afërsi të shkollës Faik Konica janë parë dy vetura të blinduara të Policisë së Kosovës.

Ora 17:50 Mblidhen lideret e opozites per hapat e metejshme te protestes

Mësohet se liderët e partive opozitare janë mbledhur në selinë e AAK-së në Ulpianë. Aty me gjasë opozitarët do t’i diskutojnë hapat e mëtutjeshëm pas eskalimit të dhunës gjatë protestave të sotme.

Ora 17:30  Ose do ti arrestojne te gjithe ose marreveshjet nuk kalojne

Dardan Molliqaj nga radhet e VV tha se pushteti i Hashimit dhe Isës për 16 vjet nuk e ka arrestuar asnjë kriminel, ndërsa sot po e arreston deputeten Kadaj, raporton Indeksonline.

Molliqaj ka thënë se osë do t`i arrestojnë të gjithë ose marrëveshjet e Asociacionit dhe Demarkacionit nuk do të kalojnë.

Ora 17:15 AAK: Me vendimin e gjykatës, Kosova po hyn në diktaturë!

 

Vendimi i Gjykatës Themelore duke i dhënë masën e paraburgimit 30 ditësh, deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, përfundimisht ka dëshmuar se vendimi është politik dhe ky është hapi i parë i një kalimi nga demokracia parlamentare në një sistem diktatorial.

Më herët gjatë ditës së sotme njësia speciale e Policisë së Kosovës ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të aktivistëve të partive politike opozitare: Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, të cilët ishin të mbledhur para Qeverisë së Kosovës në Sheshin Nënë Tereza në Prishtinë.

Të pranishëm në protestë kanë qenë edhe liderët e partive politike opozitare Visar Ymeri, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe deputeti Albin Kurti i cili është duke u kërkuar nga policia për arrestim.

Protestuesit të cilët ishin mbledhur para institucioneve për të kundërshtuar arrestimin e deputetes Donika Kadaj – Bujupi, pasi kanë kuptuar se për të është kërkuar nga prokuroria masa e paraburgimit prej 30 ditësh kanë nisur të hedhin koktej-molotovi, ngjyrë dhe gurë në drejtim të policisë dhe institucioneve të Kosovës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësitet e saj, deri në orën 14:15, kanë arrestuar trembëdhjetë protestues të dhunshëm, si dhe kanë konfiskuar në vendngjarje një çantë të dyshuar, të mbushur me mjete të dyshuara si koktej molotovi.

Gjatë ditës së sotme Policia e Kosovës ka shpërthyer në mënyrë të kontrolluar një granatë dore e cila ndodhej pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. 
Që në orët e para të mëngjesit, objekti i Gjykatës Kushtetuese ka qenë i rrethuar për shkak të informacionit se një mjet i dyshuar ndodhet në oborrin e këtij institucioni.  Zyrtarët policorë konfirmuan se është kryer deminimi i granatës.

SHKARKO APP