Përleshje në Prishtinë, policia dhunon banesat e deputetëve të VETEVENDOSJE! Foto

 

Njësitet speciale të Policisë së Kosovës paraditen e sotme kanë nisur të ekzekutojnë arrestet e deputetëve që hodhën gaz në Kuvendin e Kosovës.

Prej orësh policia ndodhet para shtëpisë së deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

 Ndërkohë nuk dihet nëse Haxhiu ndodhej në shtëpi. Ajo një ditë më parë, gjatë protestës me gaz lotsjellës në Kuvend, është dërguar në spital pasi është ndjerë keq nga gazi.

Sakaq, policia ka rrethuar sot edhe banesën e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, madje ka shqyer derën për të hyrë brenda, por nuk e ka gjetur atë.

Albin Kurti është parë në protestën, pak orë më vonë.     

Ai edhe pse kërkohej, ka folur në protestë para syve të policisë. 

“Nuk do të pranojnë asnjë kompromis pasi shtetin po e persekutojnë”, ka thënë Kurti.

Ai, nuk i është përgjigjur gazetarëve nëse do të paraqitet në polici.

Sapo Kurti ka arritur në shesh ka filluar përleshja e policisë me protestuesit që dolën në mbrojtje të deputetëve të opozitës.

Protestuesit kanë filluar të gjuajnë shishe me ngjyrë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë, ndërkohë janë thyer disa xhama të kësaj ndërtese, ku kërkojnë lirimin e një prej të arrestuarve.

Deri më tani janë përdorur gurë e ngjyrë nga ana e protestuesve, ndërsa Policia ka përdorur gazin lotsjellës për t’i shpërndarë ata.

Në shesh ka edhe autoblinda të policisëdhe autoambulanca.

Policia e Kosovës konfirmoi dje se Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar katër flet- arreste, për katër deputetë, lidhur me veprat e tyre penale që ngarkohen, e te cilët janë: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli.

Donika Kadaj-Bujupi mësohet se është arrestuar.

Nol Nushi ka thënë se menjëherë duhet të lirohet deputetja Donika Kadaj-Bujupi.

 “Policia e Kosovës bazuar në mandatin ligjor që ka është e obliguar në zbatimin e Flet Arresteve të ligjshme të lëshuara nga Organet e Drejtësisë dhe bazuar në këtë sot me 18.11.2015, pas orës 08:00 të mëngjesit ka filluar me realizmin dhe zbatimin e Flet Arresteve”, thuhet në përgjigjet e Policisë.

Deri më tani siç konfirmon edhe Policia njësitet relevante policore kanë shkuar në adresat e banimit të personave të kërkuar me Flet Arrest, për t’iu prezantuar Flet Arrestet dhe të njëjtit për ti sjellë në Prokurori, ashtu siç parashihet në Flet Arrestet e tyre.

Deri në këto momente Policia konfirmon se në vendbanimin e saj është takuar deputetja Donika Kadaj-Bujupi, e cila ka bashkëpunuar dhe kooperuar mirë me zyrtaret policor, dhe bazuar në flet arrestin e njëjta është sjellë në Prokurori.

SHKARKO APP