Përmbyten toka e banesa në Shijak, Novoselë dhe Obot

Reshjet e ditëve të fundit kanë filluar të japin efektet e tyre edhe në prurjet e lumenjve dhe për rrjedhoje edhe në përmbytjen e zonave problematike. Prurjet e lumit Erzen gjatë orëve të natës kanë krijuar përmbytje në qytezën e Shijakut në Durrës. Që nga mbrëmja e së hënës gjenden nën ujë 13 banesa në Shijak.

Forcat e ushtrisë kanë ndihmuar gjatë natës familje që kanë patur nevojë evakuimi. Në mëngjesin e së martës uji ka filluar tërheqjen, por ka lënë pasoja dhe dëme të konsiderueshme në orenditë e këtyre familjeve.

Edhe Vjosa ka rritur ndjeshëm prurjet gjatë natës, dhe për rrjedhje në orët e mëngjesit sipërfaqe të tëra me tokë bujqësore dhe disa banesa pranë shtratit të lumit u përmbytën në Novoselë. Niveli i Vjosës arriti deri në 7 m, por fatmirësisht kushtet atmosferike dhe era kanë lejuar derdhjen në det, duke bërë uljen e nivelit dhe parashikohet që në orët në vazhdim situata të normalizohet.

Ndërkohë Oboti në Shkodër është kthyer në një fshat të lundrueshëm. Banorët janë detyruar të përdorin varkat brenda fshatit, ndërsa mijëra hektarë tokë bujqësore dhe banesa janë nën ujë. Lëvizja e banorëve të Obotit për të hyrë dhe dalë nga fshati kryhen nëpërmjet mjeteve të larta të ushtrisë.

SHKARKO APP