Përmbytjet, 3 persona humbin jetën nga vërshimet e ujrave

Babë e bijë humbën jetën në qendër të Laçit kur rrjedha e shirave nxorri nga rruga makinën me të cilën ata udhëtonin, duke e përmbysur atë në një kanal.

62-vjeçari Gjon Kola, drejtor i shkollës në qytetin e Laçit, u nxor i pajetë mbrëmë nga automjeti, ndërsa trupi i pajetë i vajzës 23 vjeçare, Dorina Kola u gjet rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, rreth 2 km nga vendi ku makina me të cilën udhëtonin babë e bijë u përfshi nga rrjedha e ujit.

Ndërkaq në rrethin e Kurbinit ështe shembur ura në fshatin Skuraj dhe si pasojë dy shtetas kanë rënë në rrjedhën e ujit.

Liman Balloku 22 vjeç ishte duke udhëtuar me motor së bashku me Guri Ndrecën në momentin kur u shemb ura. Të dy kanë rënë në ujë, por Liman Balloku ende nuk është gjendur, ndërsa Ndreca ka arritur të shpëtojë.

Forcat e policisë po punojnë për gjetjen e trupit të Ballokut përgjatë rrjedhës së ujërave.

Për të përballuar situatën e përmbytjeve drejt Lezhës Ministria e Mbrojtjes ka nisur mbi 80 trupa, mbi 10 mijë thasë rërë, ekskavatorë, zjarrfikës, fadroma, pompa uji e të tjera. 

SHKARKO APP