Përmbytjet izolojnë një fshat, reshjet e shiut vështirësojnë qarkullimin në vend

Rreshjet e dendura të shiut që pushtuan vendin mbrëmjen e së enjtes kanë shkaktuar përmbytje të disa rrugëve kryesore në disa zona. Në disa akse të qytetit të Durrësit dhe të Lezhës, situata paraqitet mjaft e rënduar, ndërsa lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke rrezikuar fshatin Murqinë. Ndërkohë për Klodian Laskën, përgjegjësin e bordit të Kullimit për Krujën, problemi qëndron tek fryrja e lumit dhe jo tek kanalet kulluese.

Po ashtu edhe në lagjen “Besëlidhja” në Lezhë situata mbetet kaotike, teksa përmbytet sa herë që ka shi, kjo për shkak të mospastrimit të kanalizimeve.

Gjithashtu edhe në qarkun e Kukësit rreshjet e shiut kanë krijuar shumë probleme e kryesisht në infrastrukturën rrugore. Në segmentet problematike pati rrëshqitje të dherave e gurëve që sollën vështirësi për qarkullimin e mjeteve. Në Tropojë afër urës së Balishajës në fshatin Kojel të Njësisë Administrative Tropojë e Vjetër është raportuar rrëshqitje të një pjese rruge si dhe ka patur edhe rreshje bore.

Rreshjet e shiut të rëna gjate natës së kaluar, kanë krijuar probleme edhe në disa zona të Kurbinit. Kanali i ujërave ka dalë nga shtrati, duke përmbytur disa banesa dhe dhjetëra hektarë tokë bujqësore.

SHKARKO APP