Përmbytjet në autostradë, Prençi: Të hetohen inxhinierët që vendosën palmat

 

Palmat në anë të autostradës Tiranë-Durrës, mund të duket bukur në kohë të bukur, por problemi i tyre del në kohë reshjesh.

Madje inxhinierët që i vendosën ato duhet të përgjigjen në prokurori për përmbytjet. Kështu është shprehur kreu i  Shtabit të Emergjencave Civile, i ftuar në studion e “Report TV”. Shemsi Prençi fajësoi inxhinierët që vendosën palmat në autostradë, duke ngushtuar kanalet kulluese. U përmirësua ana estetike me drita dhe palma, por kanalet u bënë të cekëta, theksoi Prençi:

“Nuk jam me profesion inxhinier, por dua të them që niveli i kanalit në të dyja anët e autostradës është ngushtuar dhe është cektuar, nuk është studiuar mirë niveli i  prurjeve. Në një projekt shtetëror ku merren mijëra euro nuk duhet të pyetet drejtori i Emergjencave. Ai mund të pyetej më parë. Segmenti nga ura e Kasharit deri te kthesa e Kamzës është rikonstruktuar, por nuk është ruajtur thellësia e kanaleve kulluese e cila duhet të ishte ruajtur patjetër. Ky kanal si mund të bëhet më i cekët? Duhet të ishte bërë më i thellë, të lidhej më Lanën. Është gabim inxhinierik. Për mua inxhinerët duhet të pyeten, të merren në pyetje nga prokuroria, madje duhet të hetohen sepse ne nuk kemi nevojë për rrugë të bukura, por për rrugë funksionale”, – tha kreu i Shtabit të Emergjencave Civile.

Të dielën autostrada Tiranë-Durrës, u mbulua nga uji. Një pjesë e palmave në anë të autostradës, u zhytën në ujë, por asnjë prej tyre nuk u rrëzua. Mirëpo vendosja e tyre përveç kostos së lartë që i ka kushtuar buxhetit të shtetit, duket se ka prishur edhe funksionimin e autostradës në kohë reshjesh, siç edhe pretendohet nga kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi.

SHKARKO APP