Përndoqi një shtetase për disa muaj/ Policia arreston të riun në Tiranë

Policia ka vënë në pranga një 27 vjeçar, i cili akuzohet se përndoqi një shtetase për disa muaj.

Arrestimi i tij u krye nga policia e komisariatit nr 6 në kuadër të një operacioni të koduar “Cross road”. Në banesën e tij iu gjetën dhe municione luftarake, të cilat u sekuestruan nga policia.

Policia e kryeqytetit informon se ‘shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të tyre, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cross road”, të ndjekur me metoda speciale të hetimit.

Në kuadër të tij u bë ndalimi i shtetasit A. C., 27 vjeç, banues në Shijak, Durrës.

Ky shtetas dyshohet se ka përndjekur një shtetase, për disa muaj. Gjatë kontrollit në banesën e tij, në Shijak, shërbimet e Policisë gjetën një sasi municioni luftarak, të cilin e sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP