Përplasi për vdekje kunatin me Jet Ski në Velipojë, Apeli liron me garanci pasurore të riun italian

Gjykata e Apelit në Tiranë ka liruar nga paraburgimi 20-vjeçarin italian Salvatore Di Tella, i cili akuzohet për vrasjen e 19-vjeçarit Nicola Loro, duke e përplasur me Jet Ski, teksa ndodheshin për pushime në Velipojë.

Ngjarja ndodhi më 19 Gusht në plazhin e Velipojës, teksa dy të rinjtë u përplasën me një Jet Ski duke bërë manovra të rrezikshme në ujë.

Nicola Iorio kishte ardhur për pushime me të dashurën e tij Giusy Di Tella dhe vëllain e të dashurës, Salvatore Di Tella, me këtë të fundit që u arrestua nga policia e Shkodrës për “vrasje nga pakujdesia”. Veç pushimeve, ata kishin ardhur në vendin tonë edhe pas ftesës së një personi tjetër i cili do të martohej dhe i kishte ftuar në dasmë.

Fillimisht, Gjykata e shkallës së parë në Shkodër caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 60 ditor por Apeli në Tiranë e ka rrëzuar atë vendim duke e zëvendësuar me masëne sigurisë “garanci pasurore” dhe “detyrim paraqitje”.

20-vjeçari Salvatore Di Tella ka lënë si garanci pasurore një shumë prej 10 milion lekësh të vjetra, në këmbim të lirmit dhe tashmë do të gjykohet në gjendje të lirë.

Mësohet se gjatë kësaj periudhe 60 ditore kanë mbërritur dy aktet e ekspertimit, ai mjeko ligjor dhe ai teknik i Jet Ski-ve në të cilin ndodheshin viktima dhe personi tjetër.

Në sallën e gjyqit italiani Salvatore Di Tella nuk ka dhënë asnjë deklaratë duke i qëndruar deklarimeve që ka bërë më përpara në polici.

Ndërkohë, në policinë e Shkodrës pas ngjarjes Salvatore Di Tella ka rrëfyer se si ka ndodhur ngjarja.

“Jemi përplasur më përpara se Nicola të binte në det. Disa minuta më pas ka ardhur një dallgë e madhe dhe Nicola ka rënë në ujë dhe aty më pas ka humbur jetën. Është një fatkeqësi ajo që na ka ndodhur.”, mësohet të ketë thënë ai.

Për mediat italiane ka folur dhe e dashura e viktimës, Giusy Di Tella, njëkohësisht dhe motra e të arrestuarit, Salvatore Di Tella, e cila ka deklaruar se ata nuk ishin as nën efektin e alkoolit dhe as të ndonjë droge, ndryshe nga çfarë thekson policia.

“Dua të theksoj fort se ishte thjesht një aksident tragjik, një përplasje e papritur. Ne nuk kishim pirë as alkool e as drogë. Unë, i fejuari im dhe vëllai im kemi qenë gjithmonë shumë të lidhur bashkë. Dy jet ski-të ishin larg njëra-tjetrës dhe ne nuk ishim aq larg bregut, ndryshe siç raportohet. Unë po xhiroja një video me celularin tim, kur Nicola më tha ta fikja. Në atë moment, pati një përplasje në anën e djathtë të jet ski-së tonë. Vëllai im u hodh menjëherë në det për ta shpëtuar Nicolan dhe e nxori trupin e tij në breg, që më pas u transportua drejt spitalit, aty ku nuk arriti të mbijetonte. Por dua të ritheksoj se ishte thjesht një aksident tragjik. Vëllai im nuk kishte asnjë faj, madje edhe familja e të dashurit tim thotë pikërisht këtë. Por këtu, në Shqipëri, ata domosdoshmërisht duan të gjejnë një fajtor.” – ka deklaruar ajo.

SHKARKO APP