Përplasja, Boçi: Kumbaro të dorëhiqet menjëherë
Opozita mbetet e vendosur për të thirrur sërish në seancë dëgjimore Ministrinë e Kulturës lidhur me projektin e ri të Teatrit Kombëtar. Deputeti i PD-së, Luçianio Boçi, në intervistën e mbrëmjes në Ora News, tha se institucioni do të vijë në Komision sa herë ti kërkohet ndërsa vetë ministrja Kumbaro sipas tij duhet të japë dorëheqjen. Boçi tha se nuk ka koherencë mes deklaratave të Ministres, kryeministrit dhe kreut të bashkisë edhe pse flitet për të njëjtën çështje.
Intervista e plotë
Përse përfundoi në atë mënyrë mbledhja?
Në fakt, mendoj se ishte një artificë i gjetur në një moment nga ministrja Kumbaro dhe e interpretoi sipas një paragjykimi që ajo e ndërtoi që në fillim të mbledhjes së Komisionit ku insistoi që prezenca e saj do ishte 1 orëshe, por konsistenca jonë si deputetë bëri që kjo seancë të zgjatej. Në fakt, mendoj që është artificë se ministrja iu shmang të gjitha pyetjeve që i drejtuam ne si anëtarë të Komisionit. Në një monolog të gjatë prej 40 minutash, ajo nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje, më pas hyri kryetarja e komisionit që kërkonte sqarime për cështjen thelbësore që: A do shembet Teatri dhe pse nuk e akordoi në fakt sic është realiteti, deklaratat e vetë ministres, deklaratat e kryeministrit, deklaratat e kryetarit të bashkisë.
Madje nuk ka koherencë dhe vetë ministrja në deklaratat e saj, e kemi bërë të ditur, në një moment ka thënë me artistët që nuk do shembet, na ka dërguar ne një përgjigje si Komision në datën 12 shkurt që nuk ka studim fizibiliteti, nuk ka as projekt për teatrin. Ndërkohë nuk merr pjesë në prezantimin e një projekti që kryeministri thotë që ky është projekti, Teatri do shembet dhe do ndërtohet ky projekt me gjysmën e truallit ekzistues dhe del po ministrja që thotë projekt i denjë. Unë sot pretendova që të dëgjoj ndonjë projekt tjetër gjuhësor të dhënë nga ministrja, por as koncepti gjuhësor nuk u paraqit sot. Ishte një impostim jo i drejtë për një ministre.
Dhe kryetarja e Komisionit, dhe unë e deputetë tjerë kemi përsëritur kërkesën tonë që ministrja të japë dorëheqjen. Është një aferë e pastër sepse i referohemi dhe një VKM-je të 14 prillit 2017 që ndryshon qendrën historike të Tiranës. Në fakt Teatri ishte i inkluduar në ansamblin të monumenteve të Kulturës sipas vendimeve të vitit 2000 dhe kishte tiparet e një monumenti kulture. Në fakt Ligji i Trashëgimisë Kulturore, ekzistuesi, në nenin 49, nëse objekti është i përfshirë në pjesën e mbrojtur të ansamblit, është e pamundur që aty të ndërtohet. Është neni 49 që e përcakton në mënyrë taksative.
Cili është mendimi juaj në lidhje me projekt idenë?
Është i qartë, e kemi shprehur dhe në Komision, nuk mund të jetë një ofertë kjo e pakërkuar sepse është gjetur ky term, dhe në krah të ofertës së pakërkuar të dalë kryeministri që vulos ofertën e pakërkuar. Nëse Ministria hap një konkurs dhe pranon oferta, do ishte e ndershme. Por më i ndershëm do ishte që ky projekt të mos ishte në territorin e teatrit ekzistues pasi ai është monument historik dhe monument kulture, por të ishte diku në hapësirat publike të Tiranës ose në krijimin e një hapësire publike.
Po për vetë projektin?
Duhej një konkurs ndërkombëtar. Nuk mund të thotë kryeminstri unë jam me këtë projekt privat dhe nuk jam me propozimin e një artisti siç është Bujar Kapexhiu. Dhe unë bëra një pyetje shumë të thjeshtë. Pse nuk doli kryeministri meqenëse ai pret projekt-ide dhe ministrja pret projekt-ide, pse nuk doli në krah Bujar Kapexhiu dhe të ballafaqoheshin dy projektet? Por në mënyrë selektive e kanë përcaktuar.
Projekti i propozuar, ju ka pëlqyer si projekt, si ide?
Projekti nuk është i pëlqyer për shkak se i mungon harmonizmi. Mund të jetë i arrirë nga ana e arkitekturës, nga ana e dizenjimit dhe përderisa e dha dhe vetë VKM-ja e 2017 që thashë përcakton se ndërtime në zonën e mbrojtur bëhen, por duhet të jenë në harmoni me kompleksin e ndërtesave që janë përreth saj. Ne kemi ndërtesa të stilit italian dhe nuk mundet një ndërtesë e shtuar, e shoqëruar me 7 kulla të jetë e stilit ultramodern, pra kemi një dis-harmoni totale. Për më tepër që ka akuza dhe studio e Ukrainës ka ngritur dhe një padi ndaj studios, sipas mediave.
Do ta thërrisni sërish Ministren Kumbaro në Komision?
Sigurisht, unë kam kërkuar që seanca të vazhdojë. Nuk është përmbyllur seanca dëgjimore, nuk kemi marrë asnjë përgjigje për pyetjet e ngritura, për shqetësimet e ngritura, kemi një shmangie totale, thashë ishte artificë, u largua. Për nderin e saj, për nderin e institucionet që përfaqëson se për nderin e saj duhet të japë dorëheqjen, por institucioni duhet të vijë në komision. Aq më tepër e ka detyrim, ne kemi të drejtën me 1/3 e deputetëve ta thërrasim në seancën dëgjimore, do ta bëjmë dhe do rivijë. Do ti japë përgjigje një për një të gjitha pyetjeve që kemi parashtruar.
KOHA JONË SONDAZH

