Përplasje mes Llallës dhe Tahirit

Të ulur në të njëjtën tryezë ministri i Brendshëm dhe Kryeprokurori Ardiatik Llalla kanë replikuar mes tyre gjatë analizës vjetore të policisë së shtetit. Llalla tha se ngjarjet e pazbardhura kriminale cënojnë sigurinë publike, ndërkaq, ministri Tahiri kërkoi më tepër bashkëpunimin e prokurorisë.

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla deklaroi sot se grupet kriminale me mbështetje politike nuk janë vetëm një fenomen shqiptar. I pranishëm në analizën vjetore të Policisë së Shtetit, Lalla kërkoi nga strukturat e policisë që të bashkëpunojnë me Prokurorinë për goditjen e këtyre grupeve kriminale.

“Grupet kriminale kanë aftësinë që të penetrojnë edhe në zyrat e shtetit. Nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Por ne kemi detyrën të zbulojmë rastet kur elementët kriminale gjejnë mbështetjen e personave me pushtet.  Në nivel titullarësh është diskutuar nevoja e rritjes së hetimeve për korrupsionin në nivele të larta. I nderuar z. Ministër i Brendshëm”,- u shpreh Llalla.

Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi punën e bërë kundër korrupsionit, po ka shtuar se nuk ka referenca nga ana e policisë dhe institucioneve të tjera për korrupsionin në nivelet e larta. Ndërsa ka kritikuar dhe lëvizjet e shpeshta në Policinë Gjyqësore.

Saimir Tahiri  nuk vonoi t’i kujtonte 21 janarin, zvarritjen e cështjeve të rëndësishme apo selektiviteti në delegimin e dosjeve.

“I nderuar Prokuror i Përgjithshëm ka shumë gjëra që mund të bëjmë më mirë nga trajnimi më i mirë i policisë dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore për të çuar përpara çështjet, nga bashkëpunimi me Prokurorinë, nga delegimi i çështjeve për të mos pasur delegim preferencial nga prokurorët kur disa çështje delegohen edhe disa të tjera jo edhe deri te hetimi, siç e thatë dhe ju i çështjeve të rëndësishme, ngjarje kriminale të cilat kanë ngecur. Ka ngjarje që kanë ndodhur tani afër, ka ngjarje që kanë ndodhur pak më larg por duke filluar nga 21 janari dhe vrasja e katër protestuesve në bulevard, te vrasja e deputetit dhe të shumë ngjarjeve të tjera deri te korrupsioni duhet të ketë veprim aktiv të Prokurorisë dhe Policisë për t’i çuar përpara këto hetime përndryshe qytetarët nuk kanë asnjë motiv që të besojnë se këtu ka ndëshkueshmëri.”

SHKARKO APP