Përplasja në Elbasan, Hajdari thirrje qytetarëve: Mos i voto më bandat

Festimet për Ditën e Verës në Elbasan, kanë bërë që në qytet të jenë të pranishëm dy liderët e forcave politike të PS dhe PD-së, ndaj dhe mbështetësit e tyre kanë dalë për ti pritur, por situata shkoi deri në përplasje. Për këtë situatë ka reaguar edhe Rudina Hajdari, e cila është kandidate e Nismës në këtë qark. Thirrja e saj për qytetarët është që të mos votojnë më bandat. Kjo akuzë e saj është e njëjta me Luzlim Basha, i cili më herët tha se ”I them kryeministrit në ikje, mos guxo të kërcënosh qytetarët me banditë me armë në brez”.

Postimi i plotë

Përplasja e dhunshme sot, mes militantëve të PS e PD në Elbasan, është pasqyra më e qartë e degradimit të kësaj klase politike e cila nuk ka më ide por vetëm muskuj.

Teksa qytetarët kishin dalë për të shijuar ditën e verës, bandat politike e shndërruan qytetin në fushëbetejë duke prishur gjithë atmosferën dhe duke shkaktuar panik. Fushata elektorale nuk mund të jetë garë muskujsh, sharjesh, grushtash apo armësh, por garë idesh dhe projektesh mbi të ardhmen e njerëzve.

Qytetarët nuk mund të zgjedhin mes dy bandave por duhet të zgjedhin mes ideve që konkurrojnë nëpërmjet debatit publik dhe konstruktiv. Koha ta mbyllim këtë kapitull të shëmtuar dhe të shohim nga e ardhmja. Në 25 Prill mos i voto më bandat.

SHKARKO APP