Përplasje fizike me policinë, naftëtarët: Do bëjmë si minatorët në ’91-shin
Punonjësit e rafinerisë së naftës në Ballsh, kanë dalë sërisht në protestë duke kërkuar pagesat e pashlyera. Protesta e sotme ka degraduar në përplasje mes policisë dhe punonjësve të rafinerisë së naftës. Naftëtarët i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama, të japë zgjidhje për dy kërkesat e tyre, duke paralajmëruar se do të bëjnë atë që bënë minatorët në vitin 1991.
“Ne jemi mbledhur sot për të vazhduar protestën tonë shumë paqësore, për ti thënë zotit Kryeministër merre seriozisht problemin e naftëtarëve. Sepse ne do bëjmë atë që bënë minatorët në 1991. Ne sot do të vendosim me një lëvizje punëtore, pa udhëheqje, pa politizuar. Mos shpresojë asnjë asnjë parti politike se ne do ta mbështesim. Nëse sot prefekti nuk na kthen përgjigje për dy kërkesat tona kryesore, puna dhe paga e muajit dhjetor, të tjerat vijnë më parë”, tha një prej naftëtarëve.
Një ditë më parë ata kundërshtuan vendimin e qeverisë, për t’u regjistruar si të papunë.
Çfarë bënë minatorët në 1991?
Minatorët e Valiasit ishin në pritje të kërkesave të tyre drejtuar instancave shtetërore. Pas heshtjes nga ana e shtetit, minatorët u mblodhën para minierës. E shtuna e 12 janarit 1991 ishte një ditë plot tension. Parrullat lajmëronin protesta.
Këmbëngulja ishte e madhe. Pavarësisht se më 16 janar 1991 erdhi përgjigja se u miratua kërkesa e grevistëve për të rritur 60 përqind pagat e tyre, po merrte shtat lëvizja e minatorëve e cila kërkonte ndryshimin e pushtetit. Kështu do të konturohej një tjetër greve që në histori do të njihet si greva e urisë e minatorëve të Valiasit. U futën në minierë për jetë a vdekje.
Miniera e Valiasit u bë simboli i lëvizjes punëtore në Shqipëri, sepse aty filloi zanafilla e krijimit të një lëvizje të re punëtore, që do të sillte më vonë themelimin e Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë.
Për herë të parë një lëvizje punëtore, bashkë me forcat demokratike solli ndryshimin e regjimit, që për BSPSH është një ngjarje fondamentale për kombin shqiptar. Më 16 Maj 1991 u shpall greva e përgjithshme, që nga përmasat ishte greva e parë më e madhe në historinë e popullit tonë, si edhe nga më të rrallat në botë me këtë shtrirje dhe kohëzgjatje.
KOHA JONË SONDAZH

