Përplasjet në PS, Rama flet për herë të parë: E pabesueshme sesi u raportua mbledhja
Pas raportimeve për përplasje në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PS-së, këtë të martë ka folur edhe kreu i kësaj force, kryeministri Edi Rama. Gjatë një takimi me asamblenë socialiste të Njësisë 7 në Tiranë, Rama nuk i mohoi debatet, por nga ana tjetër kritikoi mënyrën si u pasqyruan në media, duke i cilësuar si të ekzagjeruara.
”Ishte spektakolare, e pabesueshme edhe për mua që besoj që nuk ka më çfarë më surprizon, që ne mblidhemi në një mbledhje të zgjeruar të grupit parlamentar me qeverinë, që e bëjmë çdo fund muaji për të diskutuar tema specifike, për të dëgjuar qeveria deputetët dhe anasjelltas, i kushtojmë orë të tëra çështjes së pronave, shërbimit të kadastrës, ecurisë së reformës në kadastër. Pastaj flasim për reformën administrative territoriale, ku prezantohet analiza e të dhënave demografike dhe financiare, si dhe skenarët përkatës. Më pas trajtojmë edhe temat e komunikimit dhe të fushatës brenda partisë. Fillojmë në orën 11 dhe dalim në orën 6 dhe mediat kombëtare raportojnë për publikun ‘çfarë i tha Edi Rama njërës e çfarë i tha tjetrit’. Natyrisht që shqetësimi nuk është ky. Njerëzit kanë votuar dhe duan të dinë gjëra të tjera”,-tha Rama.
Gjatë ditës, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, Elisa Spiropali thotë se partia po kthehet në një strukturë të mbyllur dhe flet për normalizimin e arrogancës dhe shtypjes së debatit brenda familjes politike. Pasi e largoi si nga posti i Ministres së Jashtme ashtu edhe nga drejtimi i qarkut të Tiranës, socialistja është rebeluar ndaj shefit të saj politik, duke e akuzuar atë për ndërtimin e një modeli që shpërblen atë që bindet jo atë që vlen.
Në një qasje ndryshe nga kolegia e tij në parti, Erion Braçe është hedhur në aksion. Pasi shpalli kandidaturën nga njësia 5 për kryetar të Bashkisë së Tiranës dhe mori duartrokitjet nga socialistët e bastionit të majtë në kryeqytet, ua bën të qartë atyre që e dua dhe atyre që nuk mund ta duan se kjo “ofertë” e tij nuk është vetëm një shashkë politike.
KOHA JONË SONDAZH

