Përse gënjen Gerald Baramuça për rrëzimin e helikopterit?
Në dëshminë e parë, ushtari profesionist nuk i bindi prokurorët e Shkodrës. Shumë pyetjeve ai i është përgjigjur duke thënë se nuk mban mend asgjë. Ka mohuar fakte dhe rrethana specifike të ngjarjes duke mos ofruar thuajse asnjë informacion të vlefshëm për hetuesit. Pasi kanë parë dëshminë e tij, prokurorët janë të bindur se Gerald Baramuça gënjeu për rrethanat e rrëzimit të helikopterit dhe urdhëruan që ai të merret përsëri në pyetje. Por çfarë fsheh Gerald Baramuça? Përse nuk është i sinqertë me oficerët e policisë gjyqësore? Për më shumë se një jave ai mbahet në mbikqyrje të rreptë nga policia ushtarake. Informacionet që ka Baramuça për natyrën e misionit, për avaritë e helikopterit apo për veprimet e pilotëve para se të ndodhte përplasja janë dëcizive. Nga këto mund të kuptohet nëse ngjarja tragjike pati si shkak një gabim njerëzor apo një problem teknik të helikopterit. Askush, përveç disa familjarëve, nuk lejohet ta takojë ushtarin e mbijetuar në spitalin ushtarak. Shëndeti i tij po përmirësohet çdo ditë, pasi fatmirësisht Baramuça pati vetëm thyerje në krahun e majtë dhe disa gërvishtje në fytyrë. Gazeta Shqiptare shkruan se në krahun e thyer të ushtarit janë vendosur dy hekura. Për të njëjtën media, ushtari dha një intervistë disa ditë pas aksidentit. Në këtë intervistë, Geraldi duket se ka dhënë më shumë detaje për mediat, sesa për oficerët e policisë gjyqësore, të cilëve maksimumi që i tha ishte: “Nuk mbaj mend gjë”.
Gerald, ti je i vetmi që fatmirësisht shpëtoi nga ngjarja tragjike e ndodhur me helikopterin “EC 145”, me numër bordi 637. Si ndodhi ngjarja?
Isha i ulur në pjesën e pasme të helikopterit. Para meje qëndronin të ulur dy kolegët dhe shokët e mi, Donaldi dhe Floriani. Në vesh kishim vendosur kufjet dhe unë isha duke bërë një video me celularin tim. Ndonjëherë bënim edhe gallata gjatë rrugës.
Si munde të shpëtoje?
Kur helikopteri ra në liqen, direkt kam dalë nga kabina dhe notova në ujë. Ka mundur të notoj disa metra, derisa pashë se drejt meje po vinte një varkë që më shpëtoi.
Ishit nisur me shërbim?
Po. Ishim nisur me shërbim. Ishim në krye të detyrës. Ishte një fluturim patrullimi. Jemi nisur në mesditë, nga ora 12 e pak minuta.
Gjatë fluturimit, në çfarë lartësie ishit nga liqeni?
Nuk ishim shumë lartë. Nuk mund ta them me saktësi, por rreth 10 ose 15 metra mbi ujë.
Keni hasur probleme gjatë fluturimit? Ulje-ngritje?
Jo, jo. Helikopteri ka qenë në rregull. Nuk kemi pasur asnjë shqetësim. Nuk e di se si ndodhi. Nuk më kujtohet mirë gjithçka ndodhi, por di të them se është fat që jam gjallë.
Gjatë kohës që keni notuar në ujë, ke ndjerë dhimbje?
Jo, nuk kam ndjerë asgjë në ato momente. Kur kam hipur në varkë, më ka rënë në fikët dhe nuk mbaj mend asgjë derisa jam zgjuar në spitalin e Shkodrës.
Po me dy shokët e tu more vesh gjë më vonë se çfarë u bë?
Në ato momente jo. Dhe nuk mundem ta kujtoj të gjithë skenën se çfarë ndodhi.
Kur familja juaj e mori vesh se ishit i plagosur, si reagoi?
Ata e dinin që isha mirë. Sapo jam përmendur në spital, i kam kërkuar telefonin një infermieri dhe kam marrë mamin. E dija që lajmi do të kishte marrë dhenë dhe i thash: “Unë jam mirë dhe mos ki merak”.
Fatmirësisht je jashtë rrezikut për jetën. Mund të më tregosh se ku i ke plagët e marra?
Kam thyerje në krahun e majtë. Kam edhe këto gërvishtjet e vogla në fytyrë (tregon shenjën afër hundës dhe një në kokë). Por më e rëndësishmja është se jam gjallë. Dua të shpreh edhe ngushëllimet për dy shokët e mi/ GSh
KOHA JONË SONDAZH

