Përse KLSH nuk mund të auditojë “ARMO”-n ?
Kontrolli i Lartë i Shtetit sqaron se mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 163, pika c) dhe në ligjin nr.154/2014, datë 27/11/2014, “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, neni 10, “Kompetencat”, pika “e”, në përputhje me funksionin e tij, ka për kompetencë dhe kontrollon :
“auditimin e përdorimit, administrimit të fondeve dhe pronës publike apo shtetërore, si dhe mbrojtjen e interesave ekonomikë dhe financiarë të Shtetit në personat juridikë, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e aksioneve, ose kur huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti”.
Mbështetur në nenin e mësipërm, KLSH nuk mund të auditojë kompaninë “ARMO”sh.a., në të cilën Shteti ka vetëm 15% të aksioneve, më pak se gjysmën, prej vitit 2008.
Nëse deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dëshirojnë që të auditohet “ARMO”sh.a., duhet të miratojnë ose ndryshimet në Kushtetutë dhe Ligj, ose të hartojnë një Ligj të veçantë për këtë rast, çka do të ishte me rëndësi dhe vlerë të lartë për financat publike, duke parë rastet e shumta të hidhura të shpërdorimit të rolit të së drejtës shtetërore në ndërmarrjet e përbashkëta ku Shteti ka pakicë aksionesh, të cilat kanë sjellë humbje të konsiderueshme në Buxhetin e Shtetit dhe në interesat e qytetarëve.
KOHA JONË SONDAZH

