Përse nuk hetohet përgjimi i Presidentit? Pse hesht Llalla, Tahiri, Ajazi dhe Çako?!

 

Prej gati një muaj institucionet shtetërore po heshtin ndaj një denoncimi të paprecedentë dhe të padëgjuar. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka deklaruar se është përgjuar jeta private e tij dhe e familjes. Skandali i përgjimit është denoncuar nga Numri Një i Shtetit dhe jo një herë, por në disa raste. Fillimisht në një intervistë për gazetaren Ilva Tare, më 30 shtator Presidenti deklaroi se kishte fakte se ishte përgjuar. Kreu i Shtetit nuk përmendi emra dhe urdhra me shkrim, por tha se zyrtarë të administratës kishin kryer disa herë përgjimin e tij dhe të familjes. Një javë më parë, Kreu i Shtetit denoncoi në një intervistë tek gazetari Ilir Babaramo se pretendimet e tij për përgjim kishte fakte dhe dëshmitarë. ‘Unë kam fakte dhe dëshmitarë të cilët konstatojnë që Presidenti, në aspektin privat, familjar, jo institucional, ka qenë nën kontroll, nën verifikim, nën monitorim, përfshirë dhe përgjimin dhe të familjarëve të tij. Janë momente të caktuara…”,- deklaroi kreu i shtetit.

Denoncimi është serioz dhe vjen nga Njeriu që përfaqëson hierarkinë  më të lartë shtetërore. Por megjithëse kemi të bëjmë më një situatë të paprecedentë, deklarata e Kreut të Shtetit nuk është marrë në mënyrë serioze nga asnjë institucion. Kanë reaguar vetëm disa deputetë të PS-së në Komisionin e Sigurisë Kombëtare që më shumë kanë bërë ironi dhe humor duke argumentuar se “nuk ka asgjë për t’u përgjuar tek kreu i shtetit”. Ndërsa  Prokuroria, SHISH dhe institucionet e tjera shtetërore si Kryeministri apo Kreu i Kuvendit nuk kanë dhënë asnjë koment. Pse nuk flet prokurori i përgjithshëm? Pse nuk reagon ministri i brendshëm? Po SHISH? Atëhere kush e ka përgjuar pra ? Po Haki Çako pse nuk heton?

Anashkalimi i kësaj çështje apo ironia mbi pretendimet e kreut të shtetit nuk është mënyra e duhur për të trajtuar një akuzë të tillë. Së pari, sepse kreu i shtetit është institucion dhe nuk ka të bëjë thjesht më emrin e një individi. Në këtë rast nuk është Bujar Nishani, si person që akuzon, por Numri Një i Shtetit. Dhe një kryetar shteti derisa deklaron se është përgjuar ka mundësi që nesër për çështje të ndryshme ti bëhet edhe shantazh nga personat që kanë marrë përsipër kryerjen e përgjimit.

Së dyti, drejtuesit e mazhorancës Kryeministri  është personi që duhet të interesohen më shumë që kjo çështje të mos kalojë në heshtje. Sepse direkt apo indirekt, kur kreu i shtetit akuzon institucionet gishti drejtohet tek mazhoranca duke pasur parasysh marrëdhëniet e tendosura mes Kreut të Shtetit dhe shumicës së sotme parlamentare. Ndaj kreu i mazhorancës duhet të bëjë një gjest që të largoj çdo hije dyshimi. Në Komisionin e Sigurisë nuk është koha që deklaratat për përgjim të jetës private të merren me humor, a thua se nuk është ankuar numri një i shtetit, por një qytetar i zakonshëm.

Veç mazhorancës, akuza e kreut të shtetit ngre pikëpyetje dhe mbi institucionet e tjera. Sipas ligjit, përgjimi i zyrtarëve kryhet me një procedurë strikte ligjore që më parë duhet të marrë miratimin në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Jemi në situatën kur kreu i shtetit nuk tregon sesi është kryer procedura e përgjimit. Por, a nuk duhet që pas denoncimit vetë Prokuroria e Përgjithshme të niste verifikim për një vepër penale që kryhet ditën për diell në zyrën e apo shtëpinë e kreut të shtetit?

E duke mbetur tek respektimi i ligjit, kreu i shtetit, si qytetar i parë i këtij vendi duhet që pretendimet për përgjim, përderisa thotë se ka prova, ti trajtonte në rrugë ligjore. Ka të gjithë hapësirën e ligjit që të thërrasë në zyrë Prokurorin, Kryeministri, Kreun e Kuvendit, Kreun e SHISH dhe drejtuesit e Komisionit të Sigurisë Kombëtare për t’u kërkuar llogari dhe për të nxjerrë përgjegjësi. Madje mund të kërkojë hetimin dhe të publikoje emrat e atyre që kanë urdhëruar përgjimin. Presidenti nuk e ka bërë deri më sot këtë gjë dhe kjo është një zgjedhje e tij. Por mazhoranca duhet të largoj nga vetja çdo dyshim dhe duhet ta marrë më seriozisht këtë deklaratë të kreut të shtetit. Një komision parlamentar do të ishte dalja nga kjo situatë ku numri një i shtetit vënë nën përgjim familjarisht dhe mund të shantazhohet.

 Kushdo që e ka  bërë duhet të dalë para drejtësisë. Si mundet që PS dhe kryeministri Rama nuk ngre një komision hetimor parlamentar për këtë akuzë? Kujt i djeg fjala dhe akuza e Presidentit? Pse hesht Edi Rama, çfarë fsheh mosfillimi i hetimeve nga Adriatik Llalla, çka ndodhur që Saimir Tahiri nuk merr në pyetje Bujar Nishanin për të hetuar policia kriminale, apo hezitimi i Visho Ajazit mos ka dilema se ndofta e ka përgjuar ndonjë sherbim partner, pa lejen e shtetit shqiptar?

Akuza mbetet e padëgjuar. Ndaj urgjent duhet hetim. Kur përgjohet pa autorizim ligjor Kryetari i Shtetit vaj medet se çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë. Hetimi do të nxjerrë gjithçka për akuzën më të rëndë që bën një qytetari i Republikës. Dhe jo qytetar çfarëdo, por qytetari numër një në Shqiperi, Bujar Nishani.

SHKARKO APP