“Përse ziheshim me sirianët në kamp!” Rrëfimi rrëqethës i shqiptarit

Eglis Rakipi nga Cërriku tregon odisenë 6-mujore nga Tirana në Dresden të Gjermanisë, ku i ishte premtuar se do të gjente punë. Kushtet skandaloze, refuzimi që u bëhet azilkërkuesve dhe shpresa për të marrë leje qëndrimi, duke lënë edhe gratë shtatzëna, kanë qenë sipas tij disa nga përpjekejt e dështuara.

Eglis Rakipi, një nga shumë personat e kthyer nga Gjermania pak ditë më parë, rrëfen të gjithë peripecitë e qëndrimit të tij në kampin e azilit të Dresdenit. I zhgënjyer, 25-vjeçari nuk e dinte se çfarë e priste në vendin më të fuqishëm të Europës. Ai ishte nisur nga qyteti i Cërrikut, në fillim të janarit, por pas kthimit thotë se ndjehet i mashtruar nga sekserët që i premtuan se do të fitonte azil në Gjermani, ngaqë zotëronte një profesion. – “Ti e fiton azilin se je xhenerik, mjafton të kesh një profesion dhe është e sigurt që e merr azilin”, i kishte thënë Rakipit njëri nga sekserët. Me këto fjalë, 25-vjeçari mori iniciativën për të kërkuar azil në Gjermani. Rruga deri në Dresden ishte shumë e gjatë, aq sa iu deshën plot 5 ditë. Ndryshe nga itineraret e tjera, i riu zgjodhi rrugën më të gjatë për të mbërritur në destinacion.

“Kisha frika të shkoja me avion në Gjermani se do më kërkonin në aeroport vendqëndrimin dhe para xhepi dhe unë nuk kisha asnjërën nga këto të dyja. Kështu që zgjodha rrugën më të gjatë dhe më pak të kushtueshme, siç ishte ajo me autobus”, thekson Eglisi.

Kushtet brenda kampit ishin shumë të këqija dhe personeli i trajtonte azilantët sikur të ishim robër lufte. “Shanset janë zero për të fituar azilin në Gjermani dhe shpresa e vetme është lindja e një fëmijë në territorin e shtetit gjerman”, thotë ai, duke shtuar se shumë gra azilante kanë mbetur shtatzëna gjatë kohës që ishin në pritje të një përgjigje nga autoritet gjermane, sepse mendojnë se fëmija mund të fitojë nënshtetësi gjermane dhe në këtë mënyrë mund të fitojnë edhe prindërit e tyre qëndrimin atje.

Më tej ai flet për kushtet në kampet e azil-kërkuesve ku thotë se dy vetë flinin në një dyshek dhe se shpesh shqiptarët e sirianët ziheshin për bukë. “ Katastrofë! Me një dyshek flinin dy veta. Numri i njerëzit që ndodheshin brenda kampit ishte trefishi i kapacitetit të kampit. Çdo natë kishte incidente për ushqim, ndërmjet shqiptarëve dhe sirianëve. Unë shkoja jashtë kampit për të blerë bukë dhe gjëra të tjera të domosdoshme.”

SHKARKO APP