Përsëritja e zgjedhjeve në Rrogozhinë, Berisha: Më 14 Maj kishte një farsë zgjedhore
Sali Berisha e quan një vendim të kontrolluar atë të Kolegjit Zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve në Rrogozhinë. Në konferencën e përjavshme me gazetarët, ai theksoi se ajo që rezultonte me probleme ishte kutia e burgut të Rrogozhinës, por në fakt u shpall e gjithë zona e pavlefshme.
Përfaqësuesit ligjorë të dyshes Berisha-Meta kundërshtuan rezultatin e 14 Majit, kur u shpall fitues Edison Memolla, kandidati i PS-së, me argumentin se kutia e fundit që i dha fitoren atij ishin votat e të burgosurve. Tashmë zgjedhjet për Rrogozhinën duhet të organizohen brenda 4 javëve në vijim.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Rrogozhinës, Shkëlqim Hoxha thotë se qytetarët janë gati që të dalin sërish në zgjedhje, ndërsa u shpreh i bindur në fitore.
”Unë deri këtu kam ardhur me mbështetjen e qytetarëve dhe kanë qenë ata që më kanë mbështetur çdo ditë. Mendoj se ata janë gati të dalin edhe njëherë në zgjedhje për të zgjedhur kryetarin e bashkisë”,-thotë Hoxha.