Sondazhi/Përsonazhet e vitit 2024
Për një periudhë afro tremujore faqja online e www.kohajone.com hapi një sondazh për personalitetet më të rëndësishme të vendit në fushën e politikës, të medias, të biznesit dhe të letërsisë, dhe jo vetëm.
Nga votimi online Edi Rama fiton si Njeriu i Vitit 2024. Edi Rama u shpall fitues në këtë përballje, për atë që “Koha Jonë” e ka titulluar në specialen e fundvitit “Edi Rama, burrështetasi i sfidave historike”, për rolin që ai ka në zhvillimet ekonomike e politike si dhe ambicien për të sfiduar në situatat e vështira, të cilat nxjerrin në pah rolin e pazëvendësueshëm të Ramës, pavarësisht kundërshtive dhe debateve që ka gjeneruar politika.
Për të vijuar me Politikani i Vitit dhe ai është, “Ilir Alimehmeti, politikani i perspektives”. Një zë dhe një energji që do t’i japë PD-së dhe politikës shqiptare, atë vizion europian dhe maturi të munguar prej vitesh në opozitën shqiptare.
Grida Duma është fituese si MODERATORE TELEVIZIVE E VITIT, të shpallur nga www.kohajone.com. Ajo u bë shpejt një drejtuese karizmatike dhe me dinjitet drejton emisionin “Top Story” në Top Channel.
Enton Abilekaj, gazetari i reagimit të kurajshëm, shpallet GAZETARI I VITIT, për rolin dhe vlerat, kontributin dhe këmbënguljen për të qenë një rol i rëndësishëm, jo vetëm për informim të opinionit publik, por te një qëndrimi dhe opinioni që përbashkon pjesë të konsiderueshme të opinionit publik. Ai mbetet gazetar kurajoz dhe sfidues.
“Koha Jonë”, sipas traditës së saj të përvitshme zgjedh gjithashtu edhe BIZNESMENI I VITIT 2024 dhe ai është “Ylli Ujka, shembulli i sipërmarrjes së suksesshme shqiptare”. Për të vijuar me SHKRIMTARI I VITIT 2024, “Ben Blushi, pena dhe parmenda e letërsisë shqipe”, ai që solli në letërsinë shqiptare një zë origjinal dhe një kurajë krijuese impresionuese, e cila flet më së shumti me romanin e tij të fundit “Parajsa Artificiale”, libër i cili shkallmoi çdo normë dhe sfidoi çdo praktikë për të përafruar lexuesin me epokën e Inteligjencës Artificiale.
Në përfundim të kësaj sfide të fundvitit është ÇMIMI SPECIAL I KARRIERRËS , një vlerësim i cili shkon për “Kastriot Tusha, fuqia vokale e shpirtit lirik”, që pasuroi traditën tonë operistike dhe skenat lirike.
Emrat fitues të këtij sondazhi të www.kohajonë.com , janë vlera dhe kontribute, janë identitete dhe integritete, personale dhe profesionale, të cilët sjellin përmes përkushtimit të tyre, zërin e zëshëm i të gjithëve në fushat përkatëse që përfaqësojnë.
Përgatiti: Albert Vataj
Njeriu i Vitit- Edi Rama
Përfshirja e Edi Ramës në jetën publike dhe politike zë fill me lëvizjen për demokraci që rrëzoi regjimin komunist në Shqipëri, ku ai ishte një nga zërat e spikatur publikë, por edhe një drejtues i njohur i lëvizjes studentore në Akademinë e Arteve, por jo vetëm aty.
Edi Rama ka qenë një prej analistëve më të suksesshëm dhe më popullorë në gazetën “Koha Jonë” ndër vitet 1992-1997. Ai u masakrua natën e 22 janarit 1997 nga falangat e ish-presidentit të kohës Sali Berisha për shkak të qëndrimeve të tij antiregjim.
Edi Rama është sot figura qendrore në politikën shqiptare, jo vetëm për faktin se është kreu i Partisë Socialiste dhe Kryeministër i Shqipërisë, por sepse roli i tij në politikbërje është përcaktues për rolin që Shqipëria ka sot në arenën ndërkombëtare. Falë vlerave të tij të përfaqësimit, këmbënguljes dhe vendosmërinë për të udhëprirë kauza politike të mëdha, ato me karakter kombëtar, rajonal, dhe më gjerë, e kanë sjellë atë në qendër të vëmendjes nga mediat prestigjioze botërore dhe në fokusin e tryezave apo debateve ku shtrohen çështje globale, si lufta në Ukrainë, stabiliteti në rajon, etj.
Edi Rama ka aftësinë, edhe kur nuk ka lajm për Shqipërinë në botë, e krijon dhe i përthith mediat në lojën e tij mjeshtrore për të qenë në fokus ai, e natyrisht Shqipëria.
Një prej prioriteteve të qëndrueshme të Ramës ka qenë forcimi i ekonomisë, por jo vetëm.
Disa e akuzojnë si “kreu i Regjimit”, të tjerë si “Skënderbe”, por në të gjitha rastet atij i shijon të qënit në qendër të vëmendjes.
Ai punon për të mbetur në histori, gjithçka e bën për historinë. Ai endërron që pas 1 mijë vitesh të thuhet “Në kohën e Edi Ramës”.
Edi Rama gjatë vitit 2024 bëri disa turne jashtë vendit, por ajo që mbetet në mendje dhe që me sa duket e ka kthyer në “Njeriun e Vitit” ishte fjalimi me frymë noliane dhe shpirt gjergjfishtiane mu në mes të Greqisë, në Athinë, fare pak larg zyrës së kryeministrit grek. Një fjalim i tillë nuk i ishte bërë Greqisë që prej themelimit të shtetit shqiptar.
Politikani i Vitit-Ilir Alimehmeti
Ilir Alimehmeti është mjek, akademik dhe politikan shqiptar, i njohur për kontributin e tij në fushën e shëndetësisë dhe angazhimin në skenën politike shqiptare. Ai u bë figurë e spikatur gjatë pandemisë COVID-19 për analizat dhe rekomandimet e tij mbi menaxhimin e krizës shëndetësore. I qetë, sfidues me kohën e vështirë të Covid-19, duke injektuar kurajo e besim të qytetarët, ai u bë nga njerëzit me të dashur në kohën e Covid.
Alimehmeti ka studiuar mjekësi dhe është specializuar në epidemiologji dhe shëndet publik. Ai zotëron tituj akademikë që e kanë pozicionuar si një nga ekspertët kryesorë në fushën e tij.
Ka shërbyer si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës dhe është përfshirë në studime shkencore që lidhen me shëndetin publik dhe epidemiologjinë.
Në vitin 2022, Ilir Alimehmeti shpalli kandidaturën për të marrë pjesë në primaret e Partisë Demokratike për zgjedhjet lokale në Tiranë.
Ndërprerja e shpopullimit, veçanërisht të rinjve, duke krijuar mundësi më të mira për punësim dhe jetë në Shqipëri, përmirësimi i qeverisjes lokale dhe përfshirja më e madhe e qytetarëve në proceset vendimmarrëse, rritja e rolit të grave dhe të rinjve në politikë, ishin kolonat mbi të cilat ai mbështeti fort projektin e tij ambicioz politik. Por PD nuk e vendosi si kandidat për kryebashkiak, sepse nëse ai do të ishte në garë me Erion Veliajn, nuk dihej se cili fitonte!
Ilir Alimehmeti konsiderohet si një politikan i ri dhe shpresëdhënës, i cili kombinon ekspertizën profesionale me dëshirën për të kontribuar në ndryshimet sociale dhe ekonomike të Shqipërisë. Ai ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e transparencës dhe përmirësimin e qeverisjes në interes të qytetarëve.
Ilir Alimehmeti mbetet një figurë e besueshme në politikën shqiptare, duke shërbyer në rolin e anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ai është kryetar i Këshilltarëve Demokratë në Bashkinë e Tiranës. Ai manifeston një kulturë europiane të të bërit politikë.
Kombinimi i ekspertizës së tij në shëndetësi me angazhimin politik e bën Alimehmetin një zë të rëndësishëm në diskutimet mbi politikat shëndetësore dhe çështjet e qeverisjes lokale në Shqipëri.
Mbi të gjitha Ilir Alimehmeti mbetet politikani idealist dhe i pakorruptuar që jeton me dhe për komunitetin tironas.
Ndaj ai mori votat online si Politikani i Vitit 2024.
Gazetari i Vitit-Enton Abilekaj
Enton Abilekaj është gazetar dhe analist i njohur shqiptar, i cili ka një përvojë të gjatë dhe të pasur në median shqiptare. Ai ka spikatur për qasjen e tij kritike dhe të pavarur ndaj çështjeve politike dhe sociale në Shqipëri. Abilekaj ishte i pranishëm gjatë gjithë vitit në emisione televizive të profilit analitik, ku trajton tema aktuale me një thellësi të konsiderueshme dhe shpeshherë me një këndvështrim ndryshe nga shumë analistë.
Përveç punës si analist, ai ka qenë gjithashtu i përfshirë në projekte të ndryshme të gazetarisë investigative dhe të analizës mediatike. Një nga cilësitë që e dallojnë atë është aftësia për të mbajtur një qëndrim të palëkundur përballë presioneve politike apo ekonomike, duke mbetur i përkushtuar ndaj informimit të publikut me një qasje të ndershme dhe profesionale.
Abilekaj e filloi karrierën e tij në vitint 1995, duke punuar në gazetën më të madhe të gjitha kohrave, “Koha Jone”, sidomos në vitin 1996 dhe 1997, ai një ndër gazetarët që pasqyroi me kurajo ngjarjet e rrëmujshme të asaj kohe.
Në fund të vitit 1997, në moshën 23-vjeçare, ai u emërua Drejtor i Informacionit në Televizionin Publik Shqiptar (TVSH), duke u bërë drejtori më i ri në moshë në historinë e këtij institucioni.
Ai ka eksperienca edhe në media të tjera, ndërsa sot drejton portalin dinjitoz dosja.al
Përveç punës si drejtues në portalin e tij, Abilekaj është i angazhuar si analist dhe komentator në media të ndryshme, ku ofron opinione dhe analiza mbi zhvillimet politike dhe sociale në Shqipëri. Ai është i njohur për qëndrimet e tij kritike dhe për analizat e thelluara mbi çështje të rëndësishme kombëtare.
Me një karrierë të pasur dhe të larmishme në fushën e medias, Enton Abilekaj mbetet një nga zërat më me ndikim në gazetarinë shqiptare, duke kontribuar në informimin dhe edukimin e publikut mbi çështje të ndryshme me rëndësi për shoqërinë.
Enton Abilekaj ka mbetur ai gazetari i fillimit, kurajoz, i pa joshur nga paraja dhe stoik në qëndrimet e tij.
Shkrimtari i Vitit- Ben Blushi
Ben Blushi është një figurë e njohur në Shqipëri, i cili ka luajtur role të rëndësishme si politikan, shkrimtar, gazetar dhe drejtues i mediave. Karriera e tij shumëdimensionale ka kontribuar në njohjen dhe ndikimin e tij në sfera të ndryshme të jetës publike shqiptare.
Ai u lind në Tiranë më 1969. Ai u diplomua në Universitetin e Tiranës në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Karrierën e tij e nisi si gazetar në “RD” dhe me pas në gazetën “Koha Jonë”, përpara se të hynte në politikë në vitin 1999, duke shërbyer në kabinetin e Kryeministrit të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe, ai mbajti pozicionet e Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Prefektit të Korçës, dhe më vonë u emërua Ministër i Arsimit, ministër i Pushtetit Vendor, derisa u largua vetë nga politika.
Në fushën e letërsisë, Ben Blushi ka botuar disa romane të suksesshme. Romani i tij i parë, “Të jetosh në ishull”, u publikua në vitin 2008 dhe pati një sukses të madh, duke shitur mbi 30,000 kopje brenda dy muajve, një rekord për tregun shqiptar. Romani i tij i dytë, “Otello, Arapi i Vlorës”, u publikua një vit më vonë, ndërsa në vitin 2011 botoi romanin “Shqipëria”. Për këtë roman, ai u nderua me çmimin “Autori i vitit” në Panairin e Librit të Tiranës në vitin 2009. Në prill të vitit 2014, ai publikoi përmbledhjen e eseve “Hëna e Shqipërisë”.
Romani më i fundit i Ben Blushit titullohet “Parajsa Artificiale” dhe është botuar në vitin 2024 nga shtëpia botuese Pegi.
Ky roman përshkruan 24 orë nga marrëdhënia romantike dhe e çuditshme e Simon Shuterit, një burri në moshë të mesme, me një vajzë 27 vjet më të re. Vajza, e cila përjeton vështirësi në marrëdhënien e prindërve të saj, i kërkon Simonit ta ndihmojë për të shmangur ndarjen e tyre. Për ta ndihmuar, Simon krijon realitete paralele ku ndërthuren historia, konfliktet tradicionale dhe ato kibernetike, fetë dhe inteligjenca artificiale.
Romani është i ndarë në dy pjesë, “Ferri” dhe “Parajsa”, dhe trajton tema bashkëkohore të rëndësishme, duke imagjinuar të ardhme të afërta bazuar në fakte historike dhe aktuale. Stili i thjeshtë dhe dialogët e shpejtë e bëjnë këtë vepër tërheqëse për lexuesit që kërkojnë një histori dashurie atipike të ndërthurur me reflektime mbi të ardhmen e njerëzimit.
Librat e Ben Blushit trajtojnë tema sociale, historike dhe filozofike, duke reflektuar mbi realitetin shqiptar dhe duke dhënë një pasqyrë të thelluar të shoqërisë. Ai është njohur për stilin e tij të veçantë dhe për aftësinë për të eksploruar kompleksitetin njerëzor dhe shoqëror.
Përveç angazhimeve të tij letrare dhe politike, Blushi ka punuar ndër vite si kryeredaktor i gazetës KOHA JONE (1996-1997), si Drejtor i Përgjithshëm i televizionit “Top Channel” (2018), drejtor o Përgjithshëm i Euroneës Albania (2023), drejtor i përgjithshëm i Klan Kosova (2024).
Në vitin 2022, ai prezantoi një ekspozitë fotografike të titulluar “Ukraina në 10 orë” në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, duke reflektuar mbi situatën në Ukrainë.
Ben Blushi mbetet një personalitet me ndikim në jetën publike shqiptare, duke shkëlqyer në tre fusha njëkohësisht; fushën e letërsisë, politikës dhe medias.
Blushi është i njohur për mendimin e tij të pavarur dhe për guximin për të sfiduar status quo-në. Ai ka pasur ndikim të rëndësishëm në diskursin publik, qoftë përmes shkrimeve të tij, angazhimeve politike, apo prezencës mediatike. Ky profil i shumëanshëm e bën atë një nga personalitetet më të spikatura të Shqipërisë.
Pa asnjë dyshim mund të thuhet se Ben Blushi është jo vetëm shkrimtari më modern i letersisë bashkëkohore shqiptare, por edhe autori më i lexuar i 20 viteve të fundit, sukses të cilin ai po e përserit nga libri në libër.
Moderatori Televiziv i Vitit- Grida Duma
Grida Duma, e njohur fillimisht si politikane dhe akademike, ka spikatur gjithashtu si moderatore televizive, duke sjellë një qasje unike në këtë fushë. Ajo përfaqëson një stil prezantimi dinamik dhe intelektual, duke u fokusuar në çështje me rëndësi shoqërore, politike dhe ekonomike. Në programet e saj, ajo shpesh ndërthur analiza të thelluara me debate të nxehta, duke krijuar një atmosferë tërheqëse dhe të gjallë për audiencën. Aftësia e saj për të drejtuar biseda të nivelit të lartë, për të sfiduar të ftuarit me pyetje të mprehta dhe për të sjellë një perspektivë të mirëinformuar, e bën atë një nga figurat më të dallueshme në median televizive shqiptare. Eleganca dhe profesionalizmi i saj pasqyrohen jo vetëm në përmbajtjen e programeve, por edhe në mënyrën sesi ajo ndërvepron me audiencën dhe kontribuon në formimin e opinionit publik. E lindur më 11 qershor 1977 në Durrës, Grida Duma përfundoi studimet universitare në Filozofi dhe Sociologji. Ajo kreu një master në Menaxhim Biznesi dhe mbrojti doktoraturën me temë mbi “Çështjet e ekonomisë në globalizëm”. Përveç angazhimeve të tjera, ajo ka shërbyer si pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës. Në vitet 2011–2013, ajo shërbeu si Zëvendës Ministre e Integrimit Evropian në kabinetin e kryeministrit Sali Berisha. Pas kësaj periudhe, ajo vazhdoi angazhimin politik si deputete në Kuvendin e Shqipërisë, duke u bërë një nga figurat më të spikatura karizmatike të opozitës shqiptare. Pas një karriere të gjatë në politikë, Grida Duma iu përkushtua medias. Ajo drejton emisionin e njohur “Top Story” në Top Channel, ku trajton çështje të ndryshme politike dhe sociale, duke sjellë një perspektivë analitike dhe kritike mbi zhvillimet në vend. Me një stil të veçantë dhe unik në moderim, duke ndërthurur eksperiencën në politikën aktive në analizat e zhvillimeve të aktualitetit, brenda një kohe të shkurtër, Grida Duma solli një stil krejt të veçantë dhe të pakrahasueshëm në moderimin e Prime-Time politik. Gjatë vitit 2024 ajo u ngjit vrullshëm drejt majës së moderatorëve me të njohur televizivë, me zhvillimin e një sërë emisionesh me tematika të forta dhe delikate në Top Story duke u shpallur si Moderatori i Vitit.
Çmimi special i Karrierës-Kastriot TUSHA
Kastriot Tusha është tenor i shquar shqiptar, i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në muzikën klasike dhe popullore shqiptare. I njohur për vokalin e tij karakteristik dhe interpretimet emocionale në skenën e muzikës klasike dhe popullore shqiptare, vazhdon të jetë një nga zërat dhe emrat më të respektuar në skenën kombëtare dhe më gjërë.
Përveç se një artist i madh, është cilësuar nga publiku dhe ata që e njohin si njeri me vlera, njeri me zemër të madhe dhe patriot.
I kudondodhur në aktivitetet kombëtare, pasionant, i qeshur dhe idealist, Kastriot Tusha e ka lartësuar emrin e Shqipërisë dhe shqiptarëve gjithandej ku ka intepretuar.
Performancat e tij janë vlerësuar nga kritika dhe është përshëndetur për kontributin e tij në ngritjen e nivelit të operës dhe muzikës klasike në Shqipëri dhe më gjerë.
KASTRIOT TUSHA lindi në Elbasan, më 14 prill 1963. Shkollën e mesme artistike e kreu në qytetin e lindjes. Në vitin 1988 diplomohet në Akademinë e Arteve të Tiranës për kanto me tenorin dhe Artistin e Popullit profesorin Gaqo Çako dhe profesoreshën Kozeta Dule me rezultate shumë të mira. Një vit më vonë, më 1989 fiton vendin e solistit në Teatrin e Operës dhe të Baletit (TOB). Gjatë periudhës 1999-2006 emërohet pedagog i jashtëm në katedrën e kantos të Akademisë së Arteve dhe që nga viti 2006 e në vazhdim është pedagog në në departamentin e kantos në Fakultetin e Muzikës në Universitetin e Arteve.
Si rezultat i angazhimit pedagogjik, ka marrë titullin “Profesor i asociuar”. Përtej aktivitetit artistik i cili është shumë i ngjeshur dhe i larmishëm, ka arritur të jetë autor i dy librave të botuar: “100 Vjet Romanca Shqiptare” dhe “Kënga popullore qytetare e Elbasanit” me të cilin botim mbrojti edhe tezën e tij të doktoraturës.
Ai ka interpretuar dhe vazhdon të interpretojë në të gjitha skenat e vendit, duke prezantuar me sukses një repertor të gjerë nga paraklasikët deri te bashkekohorët. Disa prej roleve të tij të realizuara me nivel të lartë artistik janë: Bepe te “Pagliaci”, Kola te “Paja”, Nadiri te “Peshkatarët e perlave”, Alfredo te “Traviata”, Doda te “Mrika”, Duka te “Rigoleto”, roli i Arbërit tek opera Dasma Arbëreshe e Rauf Dhomit, etj.
Ka realizuar mbi 100 koncerte vokalo-instrumentale, si dhe një numër të konsiderueshëm koncertesh recitale. Është bashkë-themelues i koncerteve të “Tre tenorëve” në Shqipëri.
Është lëvrues i suksesshëm i gjinisë së romances dhe ka dhënë një kontribut të vyer në interpretimin dhe realizimin me sukses të shumë kengëve popullore, te cilat janë formate të mrekullueshme dhe që ndiqen nga këngëtarët e rinj.
Kastrioti ka realizuar një numër të konsiderueshëm koncertesh brenda dhe jashtë vendit, si: ltali, Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqi, Rumani, Francë, Maqedoni, Mal te Zi, etj.
Na vitin 2010 është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” nga ish-Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi. Në vitin 2013, Akademia e Çmimeve “Kult” e nderon me çmimin “Kengëtari lirik i vitit” me “Romanca shqiptare”.
Kastriot Tusha është një nga zërat më te bukur, më të vecantë dhe të papërsëritshëm të muzikës shqiptare duke gëzuar vlerësim dhe respekt maksimal nga publiku i gjërë.
Nëpërmjet angazhimeve të tij artistike dhe edukative, ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë në promovimin dhe zhvillimin e muzikës shqiptare, duke shërbyer si frymëzim për brezat e rinj të artistëve.
Biznesmeni i Vitit 2024-Ylli UJKA
Ylli Ujka është i njohur si një nga biznesmenët më të suksesshëm në Shqipëri në dy vitet e fundit dhe ka arritur të fitojë respekt për ndershmërinë dhe menaxhimin efikas të bizneseve të tij.
Biznesi i tij ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, duke bërë që me projektin e tij në bashkëpunimin me markën e stilistit me famë botërore Philipp Plein të sjell The Plein Hotel në Tiranë, një kompleks kullash e qendrash turistike mu në qendër të kryeqytetit shqiptar.
The Plein Hotel, e përuruar vetëm tre muaj më parë në Milano (Itali) ka zgjedhur Tiranën si qytetin e parë për t’u zgjeruar jashtë Italisë. Grupi Plein ka nënshkruar së fundi marrëveshje ekskluzive me kompaninë shqiptare që operon në fushën e pronave të patundshme, X One shpk, e cila nga ana e saj ka nisur punën për ndërtimin e projektit ambicioz, Grand Park Skyline në zemër të Tiranës, në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial (te ish Garda e Republikës).
Struktura luksoze Grand Park Skyline, që përfshin 3 kulla (dy rezidenciale dhe një hotel dhe një qender komerciale) është projekti më i ri në kryeqytetin shqiptar, i cili do të ndryshojë horizontin e Tiranës, ndërsa marrëveshja me grupin e Philipp Plein synon të krijojë një hapësirë të jashtëzakonshme luksi, mode dhe argëtimi, duke e transformuar atë në një destinacion ekskluziv.
Ky projekt ambicioz përfaqëson jo vetëm një hap domethënës për zgjerimin ndërkombëtar të markës, por konsolidon edhe pozicionin e X One si lider në fushën e hotelerisë së luksit në Shqipëri. Koha e parashikuar e ndërtimit të Grand Park Skyline është afërsisht 5 vjet, me një hapje të pritshme rreth vitit 2030, ndërkohë që prenotimet për rezidencat e luksit kanë filluar prej një muaji.
Ylli Ujka pas largimit nga Shqipëria në vitin 1997, Ujka ka ndërtuar një karrierë të suksesshme ndërkombëtare, duke themeluar dhe menaxhuar disa kompani në vende të ndryshme. Aktualisht, ai po planifikon një investim strategjik në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, me vlerë mbi 300 milionë euro. Ky projekt synon zhvillimin e një resorti që ruan harmoninë me natyrën dhe nderon trashëgiminë e familjes së tij, fisit Prelivanaj, të vendosur prej shekujsh në Malin e Rencit mbi Ranën e Hedhun.
Përveç biznesit, Ujka ka një pasion të veçantë për sportin e xhudos. Nga viti 2002 deri ne vitin 2017, ai eshtë shpallur 15 Kampion Kombëtar në kategorinë 73kg, 81kg, 90 kg, duke mbyllur të gjitha finalet me Ippon.
Ylli Ujka ka kontribuar edhe në industrinë e filmit si producent. Ai është i njohur për punën e tij në serialin “The Prosecutor”, ku ka bashkëpunuar me figura të njohura të kinematografisë.
Në vitin 2022, Ujka u nderua me çmimin e brandit më të mirë ndërkombëtar gjatë ceremonisë “CCIT Awards”, një vlerësim që pasqyron suksesin dhe ndikimin e tij në biznesin ndërkombëtar.
Ai ka investuar në sportin e basketbollit në Shqipëri, ku është presidentit i ekipit Beslidhja, ekip të cilin e ka shpallur kampion të vendit vitin e kaluar dhe sivjet ndodhet në krye të kësaj lige.