Përurohet rruga “Dritan Hoxha”, Veliaj: Ky është vizioni ynë

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuroi sot rrugën “Dritan Hoxha”, një rrugë sipas të gjithë standardeve që ofron një balancim të korsive të automjeteve për qytetarët që përdorin transportin publik, biçikletat apo trotuaret.

Gjatë përurimit të rrugës, kryebashkiaku Veliaj pedaloi me biçikletë, së bashku me një grup të rinjsh, duke përshkruar të gjithë korsinë e dedikuar për ta.

“Kjo rrugë është me 6 korsi, nga të cilat tre janë për automjete, një për autobus, një për biçikletë dhe një për këmbësorët. Ne besojmë që një qytet i mirë nuk është ai ku çdo njeri ka makinë dhe të pasurit kanë makina të shtrenjta, por ku çdo njeri pavarësisht se është i pasur apo në gjendje jo të mirë ekonomike, të ketë mundësi të ndihet i barabartë. Duke i dhënë tre korsi këmbësorëve, çiklistëve dhe atyre që përdorin transportin publik po japim edhe vizionin tonë se cili është qyteti që duam të ndërtojmë dhe qyteti ku besojmë”, theksoi Veliaj.

Sipas tij, ky sistem i paraprin reformës në transportin publik. “Vitin tjetër do të kemi një sistem të ri të linjave të autobusëve dhe sistem elektronik të biletës, që do të favorizojë studentët dhe pensionistët. Ky fillim i ri i kësaj arterie të korsive të dedikuara të autobusëve e biçikletave i paraprin dhe projektit për modernizimin e transportit publik”, deklaroi Veliaj.

Ai falënderoi të gjithë bizneset për ndihmën e dhënë dhe që mundësuan këtë investim në kushtet kur buxheti i bashkisë është gjendur në vështirësi financiare. “Nuk ia dilnim dot vetëm me buxhetin e Bashkisë ku s’kishim para as për të paguar rrogat, ndaj u jam sot shumë mirënjohës të gjithë bizneseve që në total kanë kontribuar në vlerë financiare, duke sponsorizuar segmente të ndryshme të kësaj rruge, mbi dy milionë dollarë. Njëra prej tyre është Banka Raiffesien dhe dua ta falenderoj shumë edhe për avokatinë që bën për biçikletat dhe për një qytet të shëndetshëm, por mbi të gjitha për një korporatë, e cila ndjesinë komunitare dhe përgjegjësinë sociale e ka po aq të rëndësishme sa të bërit biznes”, tha Veliaj.

Ai shtoi se për çështje të transparencës do të ketë një ceremoni të veçantë me të gjithë kompanitë që bënë të mundur investimin në kushtet kur me fondet e bashkisë nuk do të ishte arritur. “Sot qytetit i kemi dhënë 4 kilometra rrugë biçikletash, korsi të dedikuara autobusësh, infrastrukturë në trotuare dhe investimet e vitit tjetër, nuk do të ketë rrugë pa përfshirë kanalizimet moderne edhe korsinë e biçikletave, trotuaret për këmbësorët. Do të sigurohemi që qyteti i së ardhmes është një qytet më human dhe njerëzor”, tha Veliaj.

Për Drejtorin e Përgjithshëm të Raiffeisen Bank, Christian Canacaris, kjo fundjavë është e veçantë, pasi përurimi i kësaj rruge përkon me samitin që do të zhvillohet në Paris me pjesëmarrjen e shumë presidentëve dhe kryeministrave për të diskutuar çështje të mjedisit dhe reduktimit të ndotjes. “Nëpërmjet këtij sponsorizimi në rrugën “Dritan Hoxha”, ne dëshirojmë të inkurajojmë të gjithë qytetarët të përdorin biçikletat në jetën e tyre të përditshme sepse në këtë mënyre ne do kemi ajër më të pastër për qytetin dhe do të ndihmojmë në zhvillimin social dhe mjedisor të komunitetit”, tha Canacaris.

Përfaqësuesi i Ecovolis, End Mato, deklaroi se biçikleta është vërtetuar tashmë se është një sinonim i shëndetit urban, i një qyteti të shëndetshëm, i një qyteti për qytetarët dhe njerëzit. “Ndaj me parimin “çfarë do mbjellim, do të korrim”, jemi të sigurt që duke ‘mbjellë’ korsi, do ‘korrim’ më shumë çiklistë, qytetarë të shëndetshëm dhe më pak ndotje e tym”, u shpreh Mato.

Synimi i Bashkisë së Tiranës është që të krijohet rrjeti minimal i çiklizmit në qytet dhe për të mundësuar që nga 0.4% të banorëve që përdorin biçikleta, brenda një mandati të dhjetëfishohet në 4% të popullsisë që i përdorin rregullisht ato.

SHKARKO APP