Përvjetori i krijimit të minierës në Bulqizë, Spahiu: Kam si detyrim miratimin e statusit të Minatorit
Ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, ka kujtuar përvjetorin e krijimit të minierës në Bulqizë, ku përmes një postimi në facebook, thotë se në këto 73 vite pune, shumica e banorëve të zonës jetojnë në skamje. Nga ana tjetër, ai thotë se ka si detyrim personal që të miratojë statusin e minatorit me ardhjen e qeverisë së re pas 25 prillit. ”Miratimi i këtij statusi mbetet një nga angazhimet e mia personale dhe të forcës politike që përfaqësoj, për t’u miratuar menjëherë pas ndryshimit të madh të 25 prillit. I uroj më të mirat minatorëve, por dhe gjithë bulqizakëve në këtë përvjetor të hapjes së minierës së Bulqizës më 18 shkurt 1948”,-shkruan ndër të tjera në facebook.
Postimi i plotë
Edhe ky përvjetor i krijimit të minierës e gjeti Bulqizen si një nga qytetet më të varfra në vend. Edhe pse kanë 73 vite që punojnë në minierë, një nga punët më të vështira që qënia njerëzore mund të bëjë, shumica e banorëve të kësaj zone jetojnë në skamje.
Si djalë minatori, kjo situatë më dhemb dyfish. Si politikan prej 8 vitesh, megjithëse bëmë diçka me uljen e moshës së daljes në pension dhe kalimin e një pjese të rentës minerare bashkisë së Bulqizës, fatkeqësisht nuk arritëm dot të miratojmë Statusin e Minatorit.
Miratimi i këtij statusi mbetet një nga angazhimet e mia personale dhe të forcës politike që përfaqësoj, për t’u miratuar menjëherë pas ndryshimit të madh të 25 prillit. I uroj më të mirat minatorëve, por dhe gjithë bulqizakëve në këtë përvjetor të hapjes së minierës së Bulqizës më 18 shkurt 1948!