Peshtani në flakë, Balla: Zjarrvënia është vepër penale, ndëshkim ekzemplar për këdo!
Drejtuesi politik i Qarkut të Fierit, njëherazi edhe ministër i Brendshëm, Taulant Balla së bashku me drejtues të bashkisë Fier dhe Drejtorisë së Policisë vendore sapo kanë mbërritur në Peshtan.
Në këtë zonë, prej tre ditësh vatrat e zjarrit kanë shkrumbuar dhjetëra hektarë me pisha, dushk, shkurre dhe ullishte për të monitoruar nga afër situatën.
Ministri Balla deklaroi se aktualisht përveç Fierit ka dhe një situatë të vështirë zjarri edhe në Vlorë.
“Po ndjekim situatën e vatrave të zjarrit në disa qarqe të Shqipërisë. Aktualisht përveç Fierit ku jam aktualisht, kemi një situatë të vështirë edhe në Vlorë. Në Fier kemi ndërhyrë gjatë ditës edhe nga ajri përmes helikopterit.
Kemi ndaluar personin që dyshohet se ka shkaktuar zjarrin. Zjarrvënia është vepër penale dhe do të kërkojmë ndëshkim ekzemplar për këdo”, tha Balla