Pëson defekt në mes të detit anija me 200 turistë në bord
Pasditen e djeshme, Policia Kufitare e Vlorës ka marrë një telefonatë nga një shtetase, e cila kërkonte ndihmë pasi anija turistike me 200 turistë në bord, me të cilën po lundronte, kishte pësuar defekt gjatë lundrimit në det, në Vlorë. Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare janë nisur me mjetet e tyre lundruese, në drejtim të adresës së dhënë. Anija turistike u nxorr në breg dhe u ankorua në portin e Vlorës.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare kanë marrë njoftim se një mjet lundrues gomone kishte pësuar defekt gjatë lundrimit, në gjirin e Borshit. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë ndihmuar këta 3 shtetas, duke i nxjerrë në breg, me mjetin lundrues të Policisë Kufitare.
Pasagjerët e anijes turistike dhe 3 shtetasit që lundronin me gomone ndodhen të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë, për gatishmërinë dhe ndihmën që iu dhanë.
Policia Kufitare e Vlorës apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë.
Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.