Pezullimi i zv/drejtorit të OFL-së, sinjalizimi erdhi nga Gjermania

7 muaj pasi kaloi të tre filtrat e Vetting-ut, atë profesional, moral e për pasurinë, partnerët e huaj zbulojnë lidhjet e numrit dy të Operacionit Forca e Ligjit, Artan Shkëmbi me dekonspirim të operacioneve dhe përfshirje në korrupsion. Ky informacion i është përcjellë Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, ku pas hetimeve të kryera ka kërkuar në GJKKO masën e pezullimit nga detyra. Vendimi i pezullimit të Artan Shkëmbit pak ditë më parë, i është përcjellë edhe kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu që ia ka komunikuar Shkëmbit duke e zhveshur nga posti deri në përfundim të hetimeve të nisura ndaj tij.

Oficeri Hekuran Bregu është komanduar ditën e sotme në krye të Operacionit Forca e Ligjit. Ai është një oficer me eksperiencë ne hetimin e krimeve të rënda dhe në hetimin kundër krimit ekonomiko-financiar.

Hetimet janë ndjekur me metoda speciale ndërsa pritet që në përfundim të tyre të vendoset edhe për fatin e Shkëmbit që me këto akuza rrezikon një përballje të fortë me ligjin. Ky është hetimi i parë në nivele të larta drejtuese në Policinë e Shtetit ndërsa më herët Artan Shkëmbi ka mbajtur edhe postin e kreut të strukturës “Forca e Ligjit” që u shkri për t’i hapur rrugë “OFL-së”.

Policia gjermane kishte nisur një hetim pasuror për një shtetas shqiptar të përfshirë në aktivitete të paligjshme në gjermani. Mësohet se autoritetet gjermanë kanë mësuar dhe kanë ngritur dyshime ndaj numrit dy të OFL-së në Shqipëri se ai kishte informuar subjektin nën hetim nga gjermania. Akuza e ngritur nga SPAK është shpërdorim detyre dhe nxjerrje sekreti, ndërsa hetimi po vijon, ndërsa masa e marrë është paraprake për t’i hequr oficerit të policisë çdo kontakt me informacionet sensitive.

OFL prej janarit 2020 ka mbi 200 procedime të hapura mes tyre 80 kërkesa për sekuestrim pasurie, 9 për heqje sekuestro, 30 çështje për zgjatje të afateve të sekuestrove dhe 42 çështje për konfiskim pasurie ndaj personave të skeduar. Informacionet këto që kanë kaluar edhe nëpërmjet numrit dy të operacioni Forca e Ligjit, i cili nga kjo e hënë do të qëndrojë jashtë radhëve të policisë deri në përfundim të hetimit nisur ndaj tij për korrupsion e nxjerrje sekreti hetimor.

Në janar të këtij viti, nisi me bujë të madhe Operacioni Forca e Ligjit por që po rrezikon të ligjërojë përfundimisht pronat që posedojnë personat të cilëve policia e shtetit po u dërgon letër periodikisht çdo ditë. Sipas të dhënave të publikuara nga Gjykata e Posaçme, Gjykata ka konfiskuar vetëm 10 për qind të pasurive të hetuara nga policia në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, e thënë ndryshe vetëm 42 pasuri, pjesa më madhe automjete.

Ish-drejtori i policisë, Arben Hajdarmataj, thotë se njëkohësisht me ligjërimin e këtyre pasurive, kjo është dhe një lloj amnistie që u bëhet pronave me burim të ardhurat nga krimi i organizuar. Sipas tij, ecuria e deritanishme tregon dhe për mangësi në hetime nga ana e Policisë së Shtetit apo Prokurorisë për të vërtetuar burimin e pasurive nga të ardhurat kriminale.

”Kjo lë shumë koment nëse SPAK ka qenë i zoti të bëjë hetimin apo duhet të kemi një statistikë tjetër nëse këto subjekte kriminale që kanë shkuar përmes OFL te SPAK dhe në gjykatë kanë qenë të gjykuara dhe një herë dhe për një çështje nuk mund të gjykohesh dy herë”,- thotë ish-drejtuesi i Policisë.

SHKARKO APP