Pezullohet nga detyra shefi i policisë së Sarandës

Shefi i komisariatit të policisë së Sarandës, Gazmend Shehu është pezulluar sërish nga detyra, pas publikimit të një videoje ku ai tregohet duke dhunuar fizikisht një qytetar.

Ngjarja është regjistruar në muajin shkurt 2014 në një pikë lojërash fati në Tepelenë, kohë ku Shehu ushtronte detyrën si shef komisariati. Burime nga policia e Vlorës bëjnë të ditur se Gazmend Shehu ishte pezulluar nga detyra një vit më parë, për shkak të kësaj ngjarje.

Pas hetimit lidhur me të dhe pushimit të çështjes me mirëkuptimin e të dy palëve, Shehu është rikthyer në krye të policisë së antitrafikut në Drejtorinë e Vlorës, në mars të këtij viti.

Ndërkohë vetëm para dy javësh Gazmend Shehu ishte emëruar shef i komisariatit të Sarandës.

Pas publikimit të kësaj videoje në internet, sot është marrë sërish vendimi për pezullimin e tij nga  detyra.

Mësohet se pamjet filmike që duken në video-regjistrim janë marrë nga kamerat e sigurisë të një biznesi pranë lokalit të lojërave të fatit.

Ish kreu i komisariatit të Tepelenës, Gazmend Shehu, është konfliktuar me qytetarin në lokalin e lojërave të fatit, jo për shkak të detyrës, por për arsye personale.

SHKARKO APP