Pika e radarëve serbë në Kosovë ku përgjohemi edhe ne

 

Serbia ka riaktivizuar qendrën e radarëve ajror në vendin e quajtur Maja e Panqiqit, që ndodhet në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës.

Nga qendra e radarëve serbë, e cila gjendet në cepin më verior të Kosovës, në një lartësi prej 2 mijë e 17 metrash mbi nivelin e detit, kontrollohet gjithë hapësira ajrore e Serbisë, Kosovës madje edhe e Shqipërisë.

Eksperti i sigurisë Florian Qehaja, ka thënë për “Top Channel” se riaktivizimi i radarëve që ndodhen në territorin e Kosovës nga ana e Serbisë përbën shkelje të sovranitetit dhe për këtë ai fajëson forcat e NATO-s në Kosovë, të cilat janë përgjegjëse për vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Radarët e riaktivizuar nga shteti serb ishin objektivi i parë i sulmeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë më 1999, pasi NATO që para 17 vjetësh e konsideronte këtë radar si “vesh e sy” të Beogradit dhe sistemit të sigurisë së Serbisë.

Sipas profesorit Florim Isufi dhe ekspertit të sigurisë Florian Qehaja, çështja e radarëve në Leposaviq do të paraqesë problem ndërshtetëror në mes Kosovës dhe Serbisë, kur të bëhet demarkacioni mes dy vendeve.

SHKARKO APP