Pipero: Kemi më shumë raste pozitive, por më pak të sëmurë
Mjeku infeksionist, Prof. Pëllumb Pipero, që prej më shumë se 45 ditësh është në vijën e parë të “zjarrit”, në Spitalin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare ”Nënë Tereza” në Tiranë thotë për DW, se treguesit kryesorë të kësaj faze shfaqen në dy aspekte: “Në aspektin epidemiologjik dhe atë klinik.
Në aspekin e parë vlerësohen – koha që ka kaluar nga rasti i parë që u prek me COVID – 19, ecuria e epidemisë në bazë të numrit të rasteve të reja të konfirmuara dhe piku i saj, që për viruset respiratore përkon nga java e katërt deri në javën e gjashtë. Në aspektin klinik tregues është numri i shtrimeve në spital që tregon për ecurinë e butë të epidemoisë, uljen e kurbës së rasteve të shtruara dhe rritjen e rasteve të shëruara. Ndërkohë që rastet e rënda me rrezik jete, kanë filluar të ulen” thotë për DW, Prof. Pëllumb Pipero.
Ai thekson se në fazën e dyte, që është më e gjatë se e para, barrën më të rëndë e ka shërbimi epidemiologjik, “që duhet të hetojë në mënyrë inteligjente për të parandaluar shpërthimin e vatrave të reja.
Shërbimi spitalor pritet të jetë më i lehtësuar, nëse qytetarët vazhdojnë të respektojnë si deri më tani rregullat, që edhe pse disi të lehtësuara nuk duhet të ulin vigjilencën dhe kujdesin. “Rastet e reja janë asimptomatike (pa simptoma), kontakte të kontakteve me të infektuarit zbulohen nga shtimi i testimeve. Kemi më shumë raste pozitive, por më pak të sëmurë. Ky është një trend normal dhe i qëndrueshëm i epidemisë, që mendoj se është menaxhuar më mirë sesa në vende të tjera të rajonit” sqaron Dr. Pipero për DW.