Pipero: Spitali Infektiv po mbushet me shpejtësi, me këto rimte për 5 ditë i plotëson kapacitetet
Spitali Infektiv në QSUT por mbushet me ritme të shpejta. Mjeku Pëllumb Pipero në një intervistë me skype për emisionin “Tempora” në RTV Ora tha se nëse vazhdohet me këto kapacitete, për 5 ditë ky spital i plotëson të gjitha kapacitetet.
Pëllumb Pipero: Shtretërit e spitalit infektiv po mbushen dita ditës, do të thoja që po mbushen me shpejtësi. Po me kaq shpejtësi u shtuan 30 apo 40 shtretër të tjerë në dy pavionet që u liruan nga alergologjia dhe reumatologjia, por ka shumë dinamike. Sot më shumë se kurrë po del në pah nevoja e domosdoshme për imazheristë, teknike laboratori, reanimatore dhe infermierë. Pra në këtë aspekt është drejtuar tehu apo tempi u luftës për të mjekuar të gjithë pacientet. Në këtë histori roli i infeksionistit ka kaluar në plan të dytë, jo se është më pak i rëndësishëm por sepse dinamika e përparimit të sëmundjes është aq e shpejtë sa imazheria në kohë reale dhe asistenca e reanimatorit dhe shërbimi i infermierit mundësojnë shpëtimin e më shumë jetëve.
Janë marrë masa për të përballuar të gjitha skenarët e mundshëm. Di t’ju them se nëse vazhdohet me këto ritme spitali infektiv do ti plotësojë kapacitetet ndoshta brenda 4-5 ditësh, nëse vazhdon gjithmonë me këto ritme. Pastaj do të duhet të vihet në funksion spitali Covid 2. Pra nëse shtrojmë deri në 10 paciente në ditë, besoj se spitali infektiv i ezauron kapacitetet e tija.
Pipero tha se te Infektivi janë 8-9 persona në gjendje kritike.
Ai shtoi se i gjithë kati i dytë te Infektivi është një kat i terapisë intensive tashmë, i pajisur me respiratorë.
Sonila Meço: Sa pacientë janë në gjendje kritike?
Pipero: Në dijeninë time duhet të jenë më shumë se sa 8-9 pacientë nga të cilët 4 janë në terapi intensive, dhe 4 të tjerë gjithashtu në terapi intensive, por në katin e dytë, sepse tashmë, e dini që i gjithë kati i dytë me 35-40 shtretër është një kat i terapisë intensive, pasi të gjitha dhomat janë pajisur me respiratorë. Pra, ju duhet të na kuptoni se te Infektivi, punojmë çdo minutë për të rritur kapacitetet jo vetëm me numra, por edhe me trajnim e kualifikim. Të gjithë së bashku duhet tu shërbejmë më mirë pacientëve.