”Pistoleta nuk është e imja”, Ramazan Rraja nuk ka pranuar të flasë për atentatin ndaj ish-prokurorit

”Pistoleta nuk është e imja”,-tha Ramazan Rraja para oficerëve të policisë së Durrësit, pas arrestimit në zonën e njohur si Ura e Gjoles. Ai akuzohet për pjesëmarrje në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku dhe u plagosur Landi Muharremi, i njohur si Rrumi.

Rraja nuk ka pranuar të flasë asnjë fjalë për ngjarjen. Ai u shpall në kërkim së bashku me disa persona të tjerë, përfshirë Plarent Dervishajn, i cili ndodhet në Dubai. Policia tha se 30-vjeçari nuk ishte larguar në asnjë moment jashtë shtetit, por fshihej në trekëndëshin “Durrës-Lezhë-Tiranë”.

Rraja ishte në shoqërinë e Luis Konomit, i shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit. 39-vjeçari i njohur dhe me emrin Elton Llozhi akuzohet si një nga personat që kërcënoi me jetë pak javë më parë biznesmenin, Eral Myftaraj për t’u tërhequr nga një tender të fituar në Bashkinë e Tiranës.

SHKARKO APP