Pjesë e grupit të Alibeajt, deputetja Çupi: Me një kandidat të rrëzojmë Ramën
Negociatat mes grupit të Berishës dhe Alibeajt në PD, nuk prodhuan dritë jeshile, kjo për të shkuar në zgjedhjet lokale me një kandidat të përbashkët. Deputetja e PD-së, Dhurata Çupi, pjesë e grupit të Alibeajt, thotë se të gjithë duhet të bëhen bashkë, me qëllimin e vetëm rrëzimin e regjimit të Edi Ramës.
”Të gjithë bashkë për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Të gjithë bashkë me një kandidat. Në vitin 2013 e mbani mend shprehjen të bëhen bashkë të gjithë qelbësirat, ndërsa unë sot bëj thirrje të bëhen bashkë të gjithë zonjat dhe zotërinjtë e këtij vendi për të shpëtuar vendin nga regjimi i Edi Ramës”.
Ditën e martë, ishte grupi i Alibeaj, i cili deklaroi se negociatat dështuan pasi pala tjetër kërkoi që të njihej statuti i dhjetorit, pra Sali Berisha si kryetar i PD-së. Berisha tha se kush prek flamurin e PD-së, i ka bërë llogaritë gabim. Negociatori i rithemelimit Edi Paloka, tregoi edhe se grupi i Alibeaj ishte i pasinqertë, pasi gjatë bisedimeve vazhdoi të bashkojë votat me Ramën.