Pjesë e tryezës, Hajdari: Çdo grua duhet të shkojë përtej interesave të pushtetit
Rudina Hajdari, bashkëkryetare e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe përfaqësuese e opozitës parlamentare, për sa i përket marrëveshjes së bërë ditën e djeshme mes PS, PD dhe LSI për Zgjedhoren, thotë se për të është një moment madhor. Hajdari ishte e vetmja mes 4 palëve pjesëmarrëse në tryezën e Reformës Zgjedhore, që nuk e firmosi marrëveshjen edhe pse në parim deklaroi se ishte dakord.
Deputetja përmes një postimi në facebook, është shprehur se është një moment i rëndësishëm për të dhënë një mesazh se çdo nënë, çdo grua dhe vajzë nuk ka limite në shoqërinë dhe puna duhet të shkojë përtej interesave të ngushta të pushtetit.
”Çdo grua që lufton në politikë në një mënyrë apo tjetër ka përgjegjësi për mesazhin që përçon ndaj çdo gruaje apo vajze në çdo cep të Shqipërisë për rolin e rëndësishëm që ajo ka në shoqëri”.
Postimi i plotë
Deri më sot shumë pak gra në politikë kanë qenë prezent në marrëveshje politike madhore. Për mua ky moment është i rëndësishëm për çdo grua dhe vajzë që më shikon. Është një moment i rëndësishëm për të dhënë një mesazh se çdo nënë, çdo grua dhe vajzë nuk kemi limite në shoqërinë tonë dhe se ne jemi të drejtëpërdrejta dhe interesat tonë shkojnë përtej interesave të ngushta të pushtetit. Çdo grua që lufton në politikë në një mënyrë apo tjetër ka përgjegjësi për mesazhin që përçon ndaj çdo gruaje apo vajze në çdo cep të Shqipërisë për rolin e rëndësishëm që ajo ka në shoqëri.