Pjesëmarrja e ambasadorëve në takimet me diasporën, Bardhi: Kallëzim penal në SPAK
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi e ka cilësuar si shkelje të rëndë pjesëmarrjen e ambasadorëve të Shqipërisë në takimet që po mban kryeministri Edi Rama me diasporën, pasi sipas tij ato janë takime politike.
Lidhur me këtë, Bardhi bëri të ditur se ka udhëzuar përgatitjen menjëherë të një kallëzimi penal në SPAK ndaj Edi Ramës, Taulant Ballës, ambasadorëve që janë evidentuar deri më tani në aktivitete partiake/zgjedhore dhe stafeve të tyre përkatëse diplomatike.
“Aktivitetet politike të Edi Ramës dhe Taulant Ballës jashtë vendit gjatë kësaj kohe kanë provuar jo vetëm braktisjen nga shqiptarët, por edhe një fenomen kriminal, atë të shkrirjes së shtetit me partinë. Kjo është aq evidente, saqë edhe ambasadorët në SHBA, Kombet e Bashkuara, Itali, Gjermani, Greqi, Çeki, etj, në dhunim brutal të ligjit, marrin pjesë në aktivitete partiake me qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë, duke shpërdoruar funksionin, duke përdhosur figurën e përfaqësuesit të shtetit shqiptar në botë, si dhe duke cënuar barazinë e palëve në zgjedhje”, u shpreh Bardhi.
Sipas tij, shkrirja e shtetit me partinë në zgjedhje dhe përdorimi i trupit diplomatik si trupë elektorale e partisë në pushtet, është një cenim i rëndë i zgjedhjeve dhe një rast unik në botë.
“Kurrë, askund, Trupa Diplomatike nuk merr pjesë në aktivitete partiake dhe aq më pak nuk shërben si trupë elektorale e partisë në pushtet. Funksioni kërkon paanësi politike dhe përfaqësim me dinjitet të Shqipërisë në botë”, shtoi ai.
Bardhi vuri në dukje se Presidenti i Republikës ka përgjegjësinë që të ndërhyjë menjëherë për të mbajtur përgjegjës përpara ligjit secilin ambasador që në shkelje brutale të ligjit ka organizuar dhe merr pjesë në veprimtari politike të kryetarit të Partisë Socialiste dhe drejtuesit Politik për Diasporën të Partisë Socialiste në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
“Ky është një krim që dënohet me 3 vjet burg nga Kodi Penal. Përgjegjësi penale sipas ligjit kanë kryeministri Edi Rama dhe ministri Taulant Balla, për përdorimin e burimeve njerëzore shtetërore për zgjedhje, dhe ambasadorët e stafet e tyre diplomatike, për pjesëmarrje në aktivitete politike. Për këtë qëllim, kam udhëzuar përgatitjen menjëherë të një kallëzimi penal në SPAK ndaj Edi Ramës, Taulant Ballës, Ambasadorëve që janë evidentuar deri më tani në aktivitete partiake/zgjedhore dhe stafeve të tyre përkatëse diplomatike”, deklaroi ai.
/a.f/ ATSH