Plagoset 65-vjeçari me kallashnikov nga vëllai i tij në Lushnje, policia arreston autorin
Një 65-vjeçar u plagos sot në orët e para të mëngjesit në territorin e jashtëm të banesës së tij në fshatin Ngurrëz e Vogël në Lushnjë.
Mësohet se shtetasi F. Veliu është plagosur nga vëllai i tij S. Veliu. Policia bëri të mundur kapjen e autorit të plagosjes.
Mësohet se autori u kap teksa ishte i fshehur në një plantacion me shegë bashkë me armën e zjarrit tip kallashnikov. Dyshohet se S. Veliu vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Njoftimi i parë i policisë:
Sot rreth orës 05:00, në fshatin Ngurrëz e Vogël, Lushnjë, në territorin e jashtëm të banesës së tij, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi F. V., 65 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Ndërkohë shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Pas pak minutash policia njoftoi edhe për kapjen e autorit
Si rezultat i reagimit në kohë të Policisë dhe veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur identifikimi dhe kapja e autorit të plagosjes së shtetasit Faik Veliu. Autori është shtetasi Sami Veliu, vëllai i 65 vjeçarit.