Plagosi efektivin dhe vrau veten, Policia informacion zyrtar për ekzekutorin e ish-gruas dhe vëllanë e saj

Arratia dy ditore e 47-vjeçarit që vrau ish-bashkëshorten dhe vëllanë e saj më 25 shkurt në Kodër Rrëshen, u mbyll mbrëmjen e kësaj të enjte në mënyrë tragjike. Kolecaj fillimisht ka bërë rezistencë duke qëlluar ndaj efektivëve të policisë që zbuluan se ai ndodhej në banesë, ku pasi ka qëlluar me armë në drejtim të uniformave blu, la të plagosur në këmbë një efektiv. Me thirrjen e përforcimeve me forcat RENEA, kur ka kuptuar se nuk kishte asnjë mundësi për të shpëtuar nga arrestimi, ka vrarë veten me armë. Fatmir Kolecaj jetonte i vetëm në banesën në Zejmen të Lezhës, pasi babai dhe vëllai ishin në emigracion, ndërsa nëna i kishte ndërruar jetë vite më parë.

Ngjarja që tronditi Mirditën ndodhi mbrëmjen e 25 shkurtit 2020, ku vëlla e motër u ekzekutuan në oborrin e banesës në Kodër Rrëshen. Nëna e tre fëmijëve, Esmeralda Filopati, 36 vjeçe dhe i vëllai Vledison Filopati, 34 vjeç u ekzekutuan nga ish bashkëshorti me breshëri kallashnikovi. Fatmir Kolecaj u largua menjëherë pas krimit, ndërsa ishte liruar nga burgu një vit më parë. Mësohet se Esmeralda dhe Fatmiri prej tre vitesh ishin të ndarë, ndërsa kishin edhe 3 fëmijë.

Sociologu, Gëzim Tushi jep disa arsye të tjera që çojnë në dhunë dhe më keq akoma edhe në vrasje. “Në radhë të parë, një arsye e dhunës është mentaliteti i vjetër, maskilist. Meshkujt kanë mbetur te mentaliteti i tyre maskilist; E dyta, një pjesë e burrave sot, dembelë, duan të jetojnë në kurriz të grave. Ata kanë filluar të bëjnë një jetë boshe dhe kërkojnë të jetojnë prej tyre; E treta, ka një zgjerim të përdorimit të lëndëve psikotrope, të alkoolit, të cilat sjellin konflikte ne familje. Për fat të keq, familja shqiptare nuk di t’i menaxhojë këto konflikte. Nga konflikte, më pas, ato kthehen në krime banale”.

Reagimi i plotë nga Policia e Shtetit

Në lidhje me ndjekjen, lokalizmin dhe kapjen e autorit të ngjarjes së mbrëmjes të datës 25 shkurt në Kodër Rrëshen ku mbetën të vrarë me armë zjarri vëlla e motër, forca të shumta të Policisë së Shtetit prej 45 orë kërkimesh dhe kryeje të veprimeve proaktive kanë bërë të mundur që të lokalizonin autorin e ngjarjes i cili në orët e mbasdites është futur nëpërmjet pyllit në banesën e tij në fshatin Zejmen të Lezhës.

Forcat e FNSH-së të Shkodër kanë krijuar perimetrin e jashtëm të rrethimit të banesës dhe i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohej. Autori i ngjarjes shtetasi Fatmir Kolecaj, nuk i është përgjigur thirrjes së Policisë për tu dorëzuar, por ka hapur zjarr në mënyrë të befasishme mbi forcat e Policisë dhe për pasojë nga të shtënat është plagosur në këmbë jashtë rrezikut për jetën një punonjës i FNSH-së, Shkodër.

Në ndihmë të FNSH-së dhe Policisë lokale kanë shkuar edhe forcat speciale Renea ku kanë krijuar një rrethim të dytë dhe i kanë bërë thirrje autorit të hidhte armën dhe ti dorëzohej Policisë. Autori Fatmir Kolecaj kur ka parë se s’kishte asnjë mundësi që të largohej nga banesa ka varë veten me armë zjarri. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor ku vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

SHKARKO APP