Plagosi me armë 32-vjeçarin 9 muaj më parë, arrestohet autori. I sekuestrohen 9 celularë dhe 2000 euro

Policia e Lushnjës ka zbardhur dhe dokumentuar një krim të ndodhur 9 muaj më parë, duke arrestuar autorin e plagosjes së një 32-vjeçari në aksin rrugor Kosovë e Vogël-Jeta e Re, Njësia Administrative Fiershegan.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në bashkëpumin me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier dhe me Prokurorinë Lushnjë, pas një pune hetimore profesionale, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së datës 13.09.2020, ku në aksin rrugor Kosovë e Vogël-Jeta e Re, Njësia Administrative Fiershegan, është plagosur me armë zjarri shtetasi M. A.

Në vijim të veprimeve u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim A. Sh., 47 vjeç, banues në Roskovec.

Gjatë momentit të kapjes, 47-vjeçarit i janë gjetur dhe sekuestruar 9 aparate celularë dhe një shumë prej 2000 euro.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit I. A., 31 vjeç, banues në fshatin Poshnjë, Berat (i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe mbajte pa leje e armëve dhe municionit luftarak”).

Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë, me vendimin e datës 11.06.2021, ka caktuar masat e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, për shtetasin A. Sh. dhe për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” për shtetasin I. A.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. Sh., në datë 13.09.2020, për motive të dobëta, në aksin rrugor Kosovë e Vogël-Jeta e Re, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, duke plagosur shtetasin M. A., 32 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP