Plagosja e kryebashkiakut dhe sekretares. Autori e ndoqi pas, hodhi lëndën plasëse sa hyri në zyrë
Detaje të reja dalin nga ngjarja e rëndë që ndodhi këtë mëngjes në bashkinë e Lushnjes, ku shpërthimi i një lënde plasese, që iu vu hodh në zyrë, la të plagosur kryetarin e bashkisë, Fatos Tushe.
Ish-shoferi i tij, Gezim Saraci, e ka ndjekur nga pas dhe sapo kryebashkiaku ka hyrë në ambientet e zyrës së tij, ai i ka hedhur brenda lëndën plasëse.
Nga shpërthimi që ka qenë i fortë ka mbetur i lënduar kryetari Tushe dhe sekretarja e tij që ka qenë aty pranë.
Autori është shpallur në kërkim policor dhe në zonë janë ngritur postblloqe për kapjen e tij.
Ndërkohë që dy të lënduarit janë dërguar në spital dhe ndodhen për fat të mirë jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se mes ish-shoferit dhe kreut të bashkisë, Tushe, ka pasur një debat, por nuk ka ende detaje lidhur me konfliktin që kanë pasur mes tyre.
NJOFTIMI
Sot, rreth orës 09:00, në zyrën e Kryetarit të Bashkisë Lushnjë, dyshohet se është hedhur një granatë dore dhe për pasojë është dëmtuar Kryetari i Bashkisë shtetasi F. T. dhe sekretarja e Bashkisë, shtetasja E. Q., të cilët ndodhen në spitalin e Lushnjës, nën kujdesin e mjekëve.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është ish-shoferi i Kryetarit të Bashkisë, shtetasi G. S., i cili pasi ka hedhur granatën është larguar menjëherë nga ambientet e Bashkisë Lushnjë.
Forca të shumta policie të Komisariatit të Policisë Lushnjë, të DVP Fier, Renea e FNSH e Fierit po krehin zonën, me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorit. Grupi i posaçëm hetimor, me Specialistë nga Departamenti i Policise Kriminale ne Policine e Shtetit dhe DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.