Plagosja në zyrën e PD-së, Basha: Bandat e Ramës kërcënim për vendin
Një ngjarje e rëndë u shënua gjatë orëve të pasdites në Kavajë, ku zyra elektorale e PD u qëllua me armë zjarri. Mësohet se autori i krimit, që ishte bashkë me dy policë bashkiakë, është biznesmeni Ndriçim Jonuzi.
Nga të shtënat është plagosur shtetasi Bledi Noshtuni, sekretar i PD,, i cili ndodhet në spital për trajtim mjekësor.
Personi i shpallur në kërkim quhet Ndriçim Jonuzi ose Ndriçim Tahiri, pasi e ka ndërruar mbiemrin, person me rekorde kriminale.
Kryedemokrati Lulzim Basha deklaron se ky akt i frymëzuar nga Edi Rama, është kërcënim për demokracinë.
“Ngjarje e rëndë kundër demokracisë, PD, Aleancës për Ndryshim nga një kryeministër që e di se ai të dielën humb dhe Shqipëria fiton.
Ai do të na mbyllë gojën, ne nuk i kemi frikë, ata do ta marrin përgjigjen me votë. Përgjigjen le tja japim të gjithë bashkë të dielën në 25 prill”, deklaroi Basha
Më poshtë fjala e plotë e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në Kavajë:
Sonte Kavaja është përballur me një ngjarje të rëndë! Një atentat kundër Partisë Demokratike, kundër Aleancës për Ndryshim, nga një kryeministër që e di se të dielën ai humb, Kavaja Fiton dhe Shqipëria fiton!
Një njeri i cili ka humbur çdo lloj kufiri njerëzor dhe që sot hesht, ndërkohë që njerëzit e tij me dhunën dhe aktet e atentatit jo thjesht ndaj një aktivisti tonë, por ndaj demokracisë, tregojnë se këtij rrëgjimi i ka ardhur fundi. Kërkojnë të frikësojnë Kavajën. Kërkojnë të frikësojnë Partinë Demokratike, koalicionin për ndryshim dhe shqiptarët, kërkojnë të na mbyllin gojën.
Nuk na e kanë mbyllur gojën kurrë! Nuk i kemi frikë, do të marrin përgjigjen e merituar me votë të dielën nga Kavaja dhe nga e gjithë Shqipëria. Sepse Kavaja e di fare mirë të tilla akte kanë shënuar kthesat e mëdha, rrëzimin e diktatorëve dhe diktaturave. Ato tregojnë frikën në palcë dhe humbjen e toruas nga një njeri dhe një grusht njerëzish që e dinë se shqiptarët janë të vendosur t’i largojë që e dinë që shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë për të sjellë ndryshimin.
E bashkuar dhe e vendosur më shumë se kurrë është Kavaja, Partia Demokratike, Aleanca për Ndryshim, Shqipëria dhe shqiptarët. Ndaj vëllezër dhe motra, të rinj dhe të reja të Kavajës e mbarë Shqipërisë, le t’ia japim përgjigjën këtij akti burracak, këtij atentati ndaj demokracisë të gjithë masivisht ditën e diel në kutitë e votimit dhe kështu t’i japim fund njëherë e mirë këtij 8-vjeçari makth për shumicën dërrmuese të shqiptarëve e të kthejmë Kavajën e demokracisë, të shpresës e të zhvillimit, Shqipërinë shpresës dhe të ndryshimit të gjithë se bashku.
Të gjithë së bashku, asnjë hap mbrapa le të vazhdojmë marshimin tonë ditë për ditë, krah për krah deri ditën e diel ku Kavaja Shqipëria do t’i japin përgjigjen e merituar këtij atentati të shëmtuar kundër demokracisë, kundër Partisë Demokratike dhe kundër koalicionit tonë për ndryshim.
Zoti ju bekoftë ju! Zoti e bekoftë Kavajën demokratike! Zoti e bekoftë Shqipërinë!
KOHA JONË SONDAZH

