”Plaket” edhe ushtria shqiptare, s’ka rekrutime të reja
Fenomeni i plakjes së popullsisë ka filluar të shtrijë efektet edhe te forcat e armatosura. Qeveria ”Rama 3” ka depozituar në Kuvend një projektligj ku kërkon të shtyjë deri në tri vite moshën maksimale për pranimin e ushtarëve të rinj pranë forcave të armatosura, ku sipas këtij propozimi, kufiri kalon nga 27 në 30 vjeç.
Ky ndryshim kërkohet për plotësimin e nevojave që kanë Forcat e Armatosura për rekrutim, ku shtesa prej 3 (tre) vjetësh do të bëjë të mundur rekrutimin edhe të kësaj moshe, me qëllim plotësimin e nevojave në fakt që ne kemi. Mes radhëve të forcave të armatosura janë krijuar vakanca, pasi për çdo gradë, ka një afat maksimal qëndrimi. Plotësimi këtyre vakancave duket se nuk është arritur të bëhet me kontingjent të ri ushtarak.
Si pasojë e uljes së numrit të rekrutimit del e nevojshme mbajtja e personelit që kemi në fakt dhe shmangia e shtyrjeve të herëpashershme që bëhen për shkak të mungesave dhe boshllëqeve që krijohen në kompletim për arritjen e kapaciteteve operacionale të kërkuara. Nisma ligjore e qeverisë, parashikon gjithashtu se për nevojat e saj, Forcat e Armatosura kanë të drejtë të kthejnë në shërbim aktiv ish-oficerë, nënoficer apo edhe ushtarë me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale.