Plakja e popullsisë: Bien 12 % lindjet në pesë vitet e fundit
Studime të Institutit të Shëndetit Publik kanë gjetur se shumica e vdekshmërisë foshnjore ndodh në zonat rurale në prindër me arsim të ulët
2014-2019, lindjet tkurren me 12%, vdekshmëria foshnjore rritet ndjeshëm, arsyet
Vdekshmëria foshnjore në vendin tonë ka hyrë në një trend rritje të lartë vitet e fundit, teksa numri i lindjeve po pëson një rënie të mprehtë.
Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga INSTAT në vitin 2015 kishin lindur 32,715 foshnja, teksa humbën betejën me jetën në vitin e parë pas lindjes 233 prej tyre. Vitin e kaluar kishim më pak lindje, 28,561 gjithsej, teksa humbën jetën 293 foshnja.
Nga viti 2015 në vitin 2019 lindjet kanë rënë me -12.7%, ndërsa vdekshmëria foshnjore u rrit me 26%.
Vitin e kaluar humbën jetën 293 foshnje nga 0 në 1 vjeç, prej të cilave 57 për qind ishin djem.
Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2018 mbi 38 për qind e bebeve e humbën betejën me jetën si pasojë e ndërlikimeve që nënat kishin gjatë barrës, që ndikuan në shëndetin e foshnjave pas lindjes. Siç shihet nga shkaqet zyrtare më shumë se gjysma e fataliteteve të bebeve nuk kishin diagnoza të mirë përcaktuara.
Studime më të hershme të Institutit të Shëndetit Publik kanë gjetur se, shumica e vdekshmërisë foshnjore ndodh në zonat rurale në prindër me arsim të ulët. Kjo gjetje është reale edhe sot madje është përkeqësuar, pasi shërbimi mjekësor për moshat pediatrike mungon në rrethe ose është shumë i dobët dhe nga ana tjetër varfëria në rritje në zonat urbane pengon nënat e reja të kenë akses në shërbimet mjekësore.
Në maternitetet rajonale dhe bashkiake ka mungesë kirurgësh. Nënat e reja që u duhet të lindin me operacion u duhet të udhëtojnë drejt Tiranës, por disa lloje ndërlikimesh në barrë si “rezusi negativ” kërkon ndërhyrje urgjente. Punonjës në shërbimet publike pohojnë se mungesa e shërbimeve kirurgjikalë në rreth i ka rritur vdekshmërinë foshnjore.
Gjithashtu mungesa e mjekëve pediatër dhe gjinekologë në rrethe që asistojnë nënën gjatë barrës dhe ndjekin shëndetin e foshnjës pas lindjes është bërë shkak për rritjen e fataliteteve në foshnja.
Në shumicën e rretheve mjekët kirurgë janë nga Tirana dhe punojnë me orar të kufizuar, ndërkohë që në fundjavë shërbimet nuk janë të mbuluara.
Mjekët gjinekologë pohojnë se ndërlikimet e barrës tek nënat po vijnë në rritje si gjithë sëmundjet e tjera. Stili i jetesës dhe dieta kanë bërë që shumë gra të përjetojnë gjatë shtatzënisë diabet dhe hipertension.
Sipas INSTAT, shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore (nën 1 vjeç) janë “ndërlikime në barrë, të lindjes dhe të periudhës së paslindjes” me 38,2 % dhe “sëmundjet që shfaqen në periudhën e rreth lindjes” me 27,6 % të kësaj grup moshe gjithsej (shih. Grafikun bashkëngjitur).
Shqipëria po bën hapa prapa në indeksin e zhvillimit njerëzor për shkak se vdekshmëria foshnjore po rritet vit pas viti dhe nga ana tjetër shëndeti i popullatës po përkeqësohet, duke rritur jetët e humbura në mosha të reja.
Të dhëna të tjera të Eurostat gjetën se Shqipëria është e e treta me normën më të lartë në Europë sa i përket vdekshmërisë foshnjore, për vitin 2017. Në vitin 2017, në Shqipëri përllogariten 8 vdekje foshnjore në 1000 lindje të gjalla, ndërsa mesatarja në BE është 3.6 vdekje për 1000 lindje. Në të gjithë vendet e Bashkimit Europian është vënë re një përgjysmim të normës së vdekshmërisë foshnjore, ndërsa Shqipëria ka treguar një rritje të normës. Në vitin 2007, përllogariteshin 6 vdekje për 1000 lindje të gjalla.
Normën më të lartë në Europë e ka Turqia, me 8.5 vdekje foshnjore për 1000 lindje të gjalla, por shifër e cila ka pësuar përgjysmin nga 2007, me 16.2 vdekje/1000 lindje. Ndjek Maqedonia e Veriut me të njëjtën normë prej 8.5 vdekje/1000 lindje në 2017, sërish me rënie nga 2017 që ishte 10.2/1000 lindje. E treta në Europë, Shqipëria me 8 vdekje/1000 lindje, me rritje nga 2007.
Rritja e këtij treguesi, sipas studimeve të vazhdueshme të institucioneve botërore si OKB, OBSH, e vendos vendin tonë në një pozicion të pafavorshëm për zhvillimin e qëndrueshëm, nivelin e varfërisë dhe indeksin e zhvillimit njerëzor.