Plani i PD-së për arsimin, Boçi sqaron sesi do të funksionojë shpërndarja e teksteve falas

Në programin e PD-së për arsimin, përveç reformimit të arsimit të lartë, Lulzim basha premtoi edhe ndryshime në sistemin parauniversitar. Një nga angazhimet e këtij programi, ishte edhe sigurimi i librave falas. Eksperti i grupit të punës që ka hartuar programin për arsimin, Luçiano Boçi sqaron sesi do të funksionojë shpërndarja e teksteve.

”Tekstet janë falas nga klasa e I në të IX. Për familjet që janë me ndihme ekonomike do ketë edhe mbështetje për shkollën e mesme”, u shpreh ish-deputeti. Nga ana tjetër, Boçi thotë se kostoja këtij angazhimi është e llogaritur, dhe të mbulohet nga shtimi i buxhetit për arsimin që PD-ja ka premtuar.

”Patjetër që ka një kosto financiare, që është parashikuar nga ekonomistët se është e përballueshme nga buxheti i qeverisë së ardhshme. Derisa do dyfishohet buxheti i arsimit parauniversitar, kostot janë të përballueshme”, tha ai për ”Euronews”.

Premtim tjetër ishte edhe zgjatja e orarit të qëndrimit të nxënësve në shkollë. ”Është një zgjatje e orarit sipas parimit gjithë ditën në shkollë, deri në orën 4 mund të vazhdohet me orë shtesë, studime dhe organizime të argëtimeve të ndryshme. Mungesa më e madhe sot është edhe pjesa e argëtimit, do e realizojmë këtë hapësirë kohore nën mbikëqyrjen e mësuesve që pas orës 4 fëmijët të kenë mundësi të pushojnë”.

SHKARKO APP