Plani i PD-së për mirëqenien sociale, Sulka: 110 mijë vende pune, do ulen taksat dhe tatimet

Sot Partia Demokratike prezantoi planin për mirëqenien sociale. Eksperti i ekonomisë pranë selisë blu, Kastriot Sulka, tha se gjatë qeverisjes së PD-së do të krijohen 110 mijë vende të reja pune. Gjatë prezantimit, nënvizoi se ulja e tatimit me 9% do t’i japë më shumë frymëmarrje biznesit për të krijuar më shumë vende pune. Sipas Sulkës, ulja e taksës së punës nga 24.5% që janë aktualisht kontributet e sigurimeve shoqërore, në 18%, do të ndikojë në zvogëlimin e informalitetit.

Deklarata e plotë

Ndjehem i privilegjuar që jam këtu me ju sot. Të gjithë shqiptarët po e ndiejnë se ndryshimi po vjen. Të gjithë ata që panë Lulzim Bashën tani, e kuptojnë shumë mirë që Shqipëria më në fund ka një plan! Javët e fundit pamë që Shqipëria ka një plan në ekonomi, një plan në shëndetësi një plan në arsimin dhe sot Basha na njohu me planin e Shqipërisë për çështjet sociale. Që është një plan i mirëfilltë, i mirëmenduar, me hapa konkretë dhe te realizueshëm. Jo premtime boshe.

Thjesht një plan që do të drejtohet dhe do të vihet në zbatim nga Kryeministri i ardhshëm dhe qeveria e tij menjëherë pas zgjedhjeve. Unë do ndalem tek disa nga pikat kryesore nga plani: Ne angazhohemi për një rritje të mbështetjes për familjet në nevojë. Kjo mbështetje do të koordinohet me objektivin realist të krijimit të 110 mijë vendeve të reja të punës. Tregut vendas të punës do t’i kthehet vitaliteti duke u bërë më elastik dhe më i dobishëm si për punëdhënësit ashtu edhe për punëmarrësit.

Ulja e tatimit në 9% do t’i japë më shumë frymëmarrje biznesit për të krijuar më shumë vende pune. Po ashtu ulja e taksës së punës nga 24.5% që janë aktualisht kontributet e sigurimeve shoqërore, në 18%, do të ndikojë në zvogëlimin e informalitetit. Ky ndryshim do të japë një ndikim jo vetëm në zhvillimin e biznesit por edhe në shumë drejtime të tjera, ku më e rëndësishme do të jetë rritja e numrit të kontribuesve për sigurimet shoqërore, i cili do të ndikojë gjithashtu në rritjen direkte të pensioneve për pensionistët.

Ulja e masës së kontributeve të sigurimeve shoqërore së bashku me rritjen e pagës sidomos pagave të ulëta, zvogëlon direkt diferencat në paga midis femrave dhe meshkujve. Ka shume virtyte për të cilat ndjehemi mire ne si shoqëri por mua shpesh me vjen ndërmend fisnikëria e pensionisteve që janë ne zgrip te jetesës dhe mundohen ta kalojnë ditën me dinjitetin e njeriut që nuk kërkon, megjithëse ne të gjithë e dimë që pjesa dërmuese e shpenzimeve të tyre ditore mbulohet nga fëmijët e tyre. Pensionet e ulëta u mohojnë pensionistëve shqiptarë mundësinë për jetesë me dinjitet.

Pandemia e bëri edhe më të dukshme këtë plagë. Ne do t’i rrisim pensionet sa dyfishi i normës së inflacionit por jo më pak se 5% çdo vit. Matja e vërtetë e një civilizimi është se si shoqëria trajton të pamundurit e saj. Për grupe të caktuar të paaftësisë nuk është bërë indeksimi i pagesës që nga viti 2008, pra e thënë thjeshtë u është futur dora në xhep sepse çmimet ndërkohë janë rritur. Injorimi për këto grupe sociale duket edhe tek fakti qe vetëm 34% e objekteve publike plotësojnë standardet për personat me aftësi të kufizuar ku për shembull bien në sy që 57% e Zyrave të Punës, 42% e shkollave, 40% e Qendrave të Formimit Profesional. Pagesa për grupet e ndryshme të aftësisë së kufizuar do të bëhet në proporcion me skemat e tjera që mbështeten nga shteti, sikurse janë pensionet apo ndihma ekonomike dhe duke marrë në konsideratë zhvillimet më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.

Rinia është kryefjala e ditës, por unë do ta prek këtë teme nga një këndvështrim social dhe do të doja të theksoja nevojën e veçantë që kanë fëmijët jetimë për një mbështetje më të gjerë dhe më të qenësishme. Ne angazhohemi për një shtrirje më të gjerë të statusit të jetimit edhe për fëmijët që kanë humbur njërin nga prindërit duke bërë edhe kategorizimin përkatës të mbështetjes për këtë grup ku përfshihen strehimi, ndihma ekonomike, lehtësitë për arsimimin, tekste shkollore, bursa për studentet, pagesa për konviktet, apo facilitet në transportin urban. Pas 8 viteve është e qartë për çdo shqiptar se Rama e ka lënë pas dore sistemin tonë social. Ndaj është koha ti themi atij lamtumire dhe te hapim siparin e një epoke te re. Ne do të bëjmë ndryshimin për të cilin Shqipëria ka kaq shumë nevojë. Se bashku me Lulzim Bashen do ta bëjë atë ndryshim.

SHKARKO APP