Plani që në 2020, Talo Çela në “Sky”: Do iki në Brazil po dolën prova për Rinasin
Talo Çela, një nga njerëzit më të kërkuar të Policisë së Shtetit, besohet shumë se është larguar nga Shqipëria duke u vendosur në një vend të Amerikës Latine, me identitet të ndryshuar. Njeriu që mes anëtarëve të grupit thirrej “Moma”, “Katnari” dhe më pas mori nofkën “Dhelpra”, për shkak të ikjes dhe fshehjes me shumë sukses, duke sjellë dështimin e dhjetëra operacioneve policore, del në komunikimet e “Sky” se po përgatiste largimin e tij nga vendi, duke shfaqur mendim se do vendosej në Brazil me emër tjetër.
”Do iki në Brazil, andej me emër tjetër po doli prova këtu për Rinasin, s’kam ku rri më kot këtu në Shqipëri. Këtu merr 20 vjet, plus dhe këto vrasjet e leshit”,-thotë Talo Çela në “Sky”. Nga ky komunikim kupton se Talo Çela i ndruhej një dënimi tek çështja e “Rinasit” dhe duke ndjerë presionin e madh nga instancat shtetërore, ai mendon për një plan ikje përfundimtare nga Shqipëria.
Biseda për planin e ikjes së Talos në Brazil zhvillohen në muajin 14 korrik 2020, gati 1 vit e 3 muaj nga supergrabitja e miliona eurove të kryer brenda barkut të avionit të linjës Tiranë-Vjenë në aeroportin e Rinasit. Ngjarja që tronditi sistemin bankar dhe sigurinë kombëtare, aq sa bëri të mblidhet me urgjencë Komisioni i Sigurisë dhe Aeroporti i Rinasit të rrethohet nga Policia Ushtarake dhe Forcat “Komando” të Ushtrisë , ndodhi në muajin Prill 2019. /Shqiptarja.com/