Platforma e-Albania, Rama: Në 2020 u kurseu shqiptarëve afro 1.4 mln euro nga gjenerimi i mbi 2 mln dokumenteve
Platforma elektronike E-Albania do të vijojë sërish të jetë në shërbim të qytetarëve shqiptarë gjatë këtij viti. Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në facebook shkruan se kjo platformë ishte një nga historitë më domethënëse gjatë 2020 dhe do të vijojë edhe këtë vit. Sipas kryeministrit, platforma e-Albania u ka kursyer shqiptarëve 293 vite pritje në radhë, në shifra, 1.363.074 euro nga gjenerimi elektronik i 2.686.032 dokumenteve.
Postimi i plotë
E-Albania një nga historitë domethënëse të suksesit për vitin që lamë pas, do të vazhdojë këtë vit me lehtësimin e mëtejshëm të shërbimeve të shtetit ndaj çdo qytetari, në Shqipëri dhe anekënd botës. 1023 shërbime, deri para pak vitesh përmes radhave, zvarritjeve e bakshisheve, sot përmes platformës https://e-albania.al direkt nga celulari apo kompiuteri.
1.5 milionë qytetarë dhe biznese të shërbyer në një vit. Institucionet ndërkombëtare nga OECD, OKB, DASH e deri tek KE, e konsideruan historinë e suksesit të e-Albania, arritjen më domethënëse në rajon në fushën e modernizimit të shërbimeve.
293 vite pritje në radhë u kursyen falë https://e-albania.al. 1,363,074.8 € kursyen qytetarët, nga gjenerimi elektronik i 2,686,032 dokumenteve.