Plaurent Dervishaj tregon si u soll nga Dubai në Tiranë! Zbardhet dëshmia në GJKKO: Më rrëmbyen
GjKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë ”arrest me burg” për Plaurent Dervishajn, për dosjen ku akuzohet për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut. Në seancën e sotme gjyqësore, Dervishaj ka pretenduar se sjellja e tij në Shqipëri nuk është as deportim as ekstradim, por është ”rrëmbim personi”.
Sipas avokatit, klienti i tij është arrestuar në Dubai më 6 gusht dhe i është thënë se i rrezikohet jeta. Ai është mbajtur disa ditë në gjendje arresti dhe më pas është hipur në një aeroplan drejt Rinasit, ku edhe është arrestuar.
”Më 6 gusht më kanë ardhur në shtëpi forcat speciale të Dubait. Më kanë thyer derën me pretekstin se të rrezikohet jeta dhe kundrejt teje po zhvillohet një atentat. E kanë çuar te stacioni i policisë në Dubai dhe nuk është lejuar të flasë me avokatin. Aty e kanë mbajtur 10 ditë dhe më pas me kanë hipur ne avion dhe arrestimi është bërë në Rinas”,-mësohet të ketë thënë.
Në lidhje me ngjarjet e 2005-ës Dervishaj ka mbajtur qëndrim mohues. Ditën e djeshme, GJKKO miratoi një tjetër masë “arrest në burg” për Dervishajn për akuzat e ngritura ndaj tij për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja. /Report Tv/