“Plazh i lirë” sërish në Lezhë, procedohen 2 drejtorë
Aksioni i Policisë së Shtetit, ”Plazh i lirë”, është rikthyer sërish në zonën e Lezhës. Në plazhin e Kunes, Shëngjinit dhe të Velipojës, janë liruar rreth 8000 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe janë sekuestruar rreth 500 çadra e shezlongë. Policia e Lezhës, bën të ditur se ka proceduar 5 përfaqësues ligjor subjektesh për veprat penale ”Fshehja e të ardhurave” dhe ”Mospagim taksash”.
Procedohen penalisht 2 Drejtorë pranë Bashkisë Lezhë për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Lirohen në Velipojë rreth 2500 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe sekuestrohen 235 komplete (shezlongë + çadra + karrige). Procedohen nga Policia e Shkodrës dy pronarë subjektesh që kishin zaptuar hapësirën publike në plazh.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave “Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Lezhë në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, kanë ushtruar kontrolle në subjekte që ushtrojnë aktivitet biznesi në zonën e bregdetit në plazh, në Kune, Shëngjin.
Si rezultat, janë konstatuar 5 subjekte që ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e hapësirës publike, pa paguar detyrimet financiare, si dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga Bashkia Lezhë. Në përfundim të veprimeve hetimore, janë proceduar penalisht shtetasit N.K., Sh.L., E.L., L.K., dhe M.T., për veprat penale ” Fshehja e të ardhurave” dhe ” Mospagim i taksave”.
Gjithashtu, është proceduar edhe shtetasi A.N., me detyrë Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Lezhë, pasi ka lejuar këto subjekte të ushtronin aktivitetet në mënyrë të kundërligjshme, si dhe shtetasi S.T., Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Lezhë, pasi në kundërshtim me ligjin ka lëshuar leje ndërtimi në zonë të mbrojtur. Aksioni ka vijuar në Velipojë, ku janë liruar 2500 m2, plazh i zënë në mënyrë të kundëligjshme nga dy subjekte.
Gjatë aksionit u sekuestruan 235 komplete (shezlongë + karrige + çadër plazhi), si dhe u proceduan penalisht shtetasit L.M. dhe SH.N., pasi nga kontrolli i ushtruar në subjektet e tyre në zonën e Plazhit në fshatin Pulaj-Plazh, rezultoi se këta shtetas kishin zënë hapësirë publike rreth 2500 m2, duke vendosur përkatësisht 135 komplete shezlongë shtetasi L.M. dhe 100 komplete shezlognë shtetasja SH.N., të cilat u sekuestruan nga Policia. Operacioni vijon në gjithë vijën bregdetare të vendit.