Plazhet e braktisur të Shëngjinit
Nga Tonin Çobani
Plazhi i Shëngjinit nuk është një. Por janë tre të tillë. I pari, Plazhi i Ranës së Hedhun që fillon te tuneli i repartit ushtarak (Marina) dhe shkon deri ku takohet me Plazhin e Velipojës. I dyti, është Plazhi aktual i Shëngjinit që fillon ku mbaron zona e Portit dhe shkon deri te Labidari (ose “Rezidenca e Koralit” në bregdet). Plazhi i tretë fillon nga “Korali” dhe përfundon te zona e peshkatarëve. Ky quhet Plazhi i Kunës. Për shkak të menaxhimit më të përgjegjshëm të këtyre plazheve, Shëngjini duhet të bëhet bashki që, përveç plazheve të ketë në administrim Fshatin Ishull Shëngjin dhe Malin e Shëngjinit dhe të Rrencit.
Lezhës i mbetet Ishull Lezha së bashku me Plazhin e Vainit dhe Plazhin e Tales, ashtu si Shkodrës Plazhi i Velipojës deri në kufi me Malin e Zi.
Duke e shpallur Shëngjinin bashki, qytetit i miratohet lehtësisht edhe një shkollë e mesme profesionale për hoteleri dhe, ndoshta, edhe një për peshkim, pasi gjithnjë e më tepër flota aktuale e peshkarexheve nuk e përballon më fluksin e turistëve gjatë stinës së verës (por jo vetëm).
Ndarja administrative e të tre plazheve të Shëngjinit nuk duhet menduar për lehtësimin e lejeve të reja të ndërtimin. Përkundrazi. Studimi i parë dhe urgjent që do të mund të realizohej, duhet të ndalonte ndërtimet e reja për disa dekada. Pas tij, vjen ligji për korrigjimet e mundshme të ndërtimeve dhe shtesave të ngritura pa leje (Veçanërisht kur pengojnë zhvillimin urban dhe turistik të plazheve). Ndarja bëhet për një menaxhim më të mirë të plazheve të tanishme, për një menaxhim më e sufiçent.
Ajo që propozohet është e thjeshtë. Aty ku jemi të bëjmë diçka për të përmirësuar çfarë është bërë dhe , ndoshta, zhbërë deri tani. Sa për të filluar mjafton një vendim administrativ për ta shpallur Shëngjinin bashki që ka në administrim tre plazhe dhe një (apo dy) shkolla të mesme profesionale. Pas tre-katër vjetësh prej këtyre shkollave do të dalin maturantët e parë që do të dinë t’i vetëmenaxhojnë plazhet e tyre dhe flotën e peshkimit për më shumë prodhime deti për vete dhe turistë gjatë gjithë vitit. Mjaft kanë mbijetuar plazhet e braktisur të Shëngjinit si deri sot.
Shëngjin, 25 korrik 2019
KOHA JONË SONDAZH

