“Plazhin e duam që mos të vijë dikush nga mali dhe të vërë çadrën”, Xhaçka: Fraza u nxor nga konteksti. Origjina ime është mbi 1330 metra mbi nivelin e detit

E ftuar në ”Top Story” mbrëmjen e së enjtes, një fjali nga deputetja e PS-së Olta Xhaçka shkaktoi reagime të shumta në rrjet. “Plazhin e duam që mos të na vijë dikush nga mali të na vër çadrën aty”, ishte fraza që deputetja socialiste përdori teksa u fliste për investimin e bashkëshortit të saj në Himarë. Sot Xhaçka tha se fraza ishte nxjerrë nga konteksti me dashakeqësi.

“Nuk kam thënë po rrethojmë njerëzit nga mali. Nuk i kam parë komentet në rrjet. Por sërish është vazhdim i komenteve dashakeqe dhe fjalimeve të nxjerra nga konteksti. I kanë dhënë konotacion krahinor është dashakeqe. Doja të thoja që hoteli është në rrëzë të malit. Që t’i japësh konotacione krahinore. Absolutisht jo. Të gjithë ata që i njoh dhe të gjithë ata që kanë komentuar origjinën nuk e kanë më shumë se unë. Origjina ime është mbi 1330 metra mbi nivelin e detit. Këto janë vërtet qesharake. Më vjen keq që me dashakeqësi e nxjerrin nga konteksti”,-tha Xhaçka.

Grupi parlamentar i PS-së votoi kundër dërgimit në Gjykatë Kushtetuese të çështjes së papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Xhaçka. “Ajo që u votua dje në Kuvend nuk kishte të bënte thjesht me mandatin e Olta Xhaçkës. Unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë në dispozicion të drejtësisë”.

Duke e quajtur “një furtunë në gotë, një çmenduri”, Xhaçka u shpreh e hapur se do të bashkëpunojë me drejtësinë. ”Kam dashur të jem gjithë kohës në dispozicion të drejtësisë pa ndikuar në asnjë proces. Siç nuk kam ndikuar as si anëtare qeverie për një të drejtë të bashkëshortit”,-tha Xhaçka.

SHKARKO APP