PLL-PBK: Basha të mbajë përgjegjësi nëse humb zgjedhjet e 21 Qershorit

 

Partia Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar bëjnë përgjegjës lidershipin e Partisë Demokratike për një fitore të mundshme të koalicionit të drejtuar nga Partia Socialiste në zgjedhjet e 21 Qershorit.

"Propaganda e majtë në Shqipëri e ka trumbetuar “Rilindjen” dhe “fitoren e 23 Qershorit 2013” si fitore të jashtëzakonshme dhe si mbështetje e fuqishme popullore, duke e glorifikuar deri në përmasat e mitit, paçka se qeverisja dyvjeçare ka sjellë deri më tash vetëm vështirësi dhe varfërim të shqiptarëve. 

Rasti për ta sfiduar maxhorancën aktuale, për ta kanalizuar si duhet pakënaqësinë e njerëzve, për ta zhbërë mitin e “Rilindjes”, dhe për të ofruar një perspektivë të re dhe reale, janë zgjedhjet vendore të 21 Qershorit 2015.

Vlen të theksohet se maxhoranca aktuale ka punuar intensivisht dhe me objektiva të qarta për të siguruar fitoren e zgjedhjeve vendore, duke shfrytëzuar edhe ngurtësinë e qëndrimeve politike të PD…

Qëndrime që çuan në hartimin e reformës administrative të vendit dhe përpilimin e një harte të ndarjes territoriale krejt të favorshme për maxhorancën, pa pjesëmarrjen e PD", thuhet në deklaratën e përbashkët të dy partive.

Sipas saj, pa u tharë akoma boja mbi marrëveshjet e përbashkëta, PD në mënyrë të njëanshme e të paprinciptë i shkeli ato në thelb, sidomos në kapitullin e dytë për hartimin e listave shumemërore për këshilltarë, duke cënuar përfaqësimin tonë në këshillat bashkiakë dhe duke na shkaktuar qëllimisht një krizë besimi brenda strukturave tona, gjë që ne kurrsesi nuk mund ta tolerojmë.

"Këto veprime amorale të PD në raport me aleatët, janë një “thikë pas shpine” për partitë tona. Ato trondisin dhe zhbëjnë besimin për bashkëpunim në koalicion, madje krijojnë një precedent që dëmton rëndë, jo vetëm besimin në elektoratin e partive tona, por edhe në elektoratin e djathtë në përgjithësi, çka do të ndikojë negativisht në rezultatin përfundimtar.

Ne i bëjmë thirrje elektoratit tonë që, votën për kryetar bashkie në secilën nga 61 bashkitë ta hedhin atje ku i orientojnë bindjet e tyre personale, në bazë të gjykimit për aftësitë e kandidatëve të cilitdo subjekt qofshin, për të dhënë kësisoj më të mirën në dobi të komuniteteve lokale respektive", thuhet në deklaratë.

SHKARKO APP